.

Bashkëpunimi me Ajola Xoxën, rrëfehet aktori që xhiroi skenat e klipit të Gent Bushpepës


Duket se fati i këtij artisti të ri është i destinuar për projekte që i kalojnë kufijtë e Shqipërisë. Guljem Kotori, aktori me portretin e veçantë dhe talentin e spikatur në vitin 2012, ishte 22-vjeçari protagonist në skenat e filmit “Agon” të Robert Budinës, që përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Çikago. Sot, pas gjashtë vitesh, imazhi i tij dominon në skenat e klipit “Mall”, me të cilin Eugent Bushpepa përfaqëson Shqipërinë në Festivalin Europian në datat 8-12 Maj në Lisbonë. Si alteregoja e Bushpepës, ai sjell një histori dashurie me modelen Dania Bazaiti, ku kimia artistike ndihet në ajër. Për mishërimin e historisë së vërtetë të dashurisë së Gentit, realizimin e skenave të vështira të ngjitjes në ajër, bashkëpunimin me ideatoren e klipit, Ajola Xoxën dhe çfarë fshihet pas misterit të një portreti që të fiksohet në mendje, Guljemi i rrëfen për herë të parë për “Panorama Plus”.

Të pamë në skenat e klipit “Mall” të Eugent Bushpepës. Si ndihesh që do të jesh pjesë e Festivalit Europian me imazhin tënd?

Pikërisht, sepse është Eugent Bushpepa me këngën “Mall”, i cili fitoi Festivalin e 56-të në RTSH dhe është një këngë me shumë ndjenjë, së cilës unë i jap jetë me imazhin tim. Eurovizionin e kam ndjekur që në moshë shumë të vogël dhe tani që jam pjesë e tij, në të cilin do të përfaqësoj vend tim, më bën krenar. Është bërë një punë shumë e mirë dhe do të jetë një përfaqësim dinjitoz.

Klipi është realizuar në kontrastin bardh e zi, një lojë gati abstrakte, në të cilën zbërthehet fabula e një dashurie që Eugenti e ka jetuar vërtet në jetën e tij. Ishte e vështirë të luaje këtë rol ku gjithçka shprehet me gjuhën e trupit, lëvizjet dhe mimikën?

Në klip trajtohet dashuria e pamundur, të cilën rrethanat apo njerëzit nuk e lejojnë të bëhet realitet, por në fund ajo triumfon, duke u ngritur në ajër. Të përcjellësh emocion nëpërmjet këtyre elementëve, gjuhës së trupit, lëvizjeve dhe mimikës është më e vështirë, pasi të mungon fjala dhe duhet ta ndjesh realisht, që kjo të përcillet fuqishëm pa fjalë, por me ndjesinë e vërtetë. Dhe kjo është karakteristikë e imja në këtë profesion.

Partnerja jote në këtë realizim është modelja Dania Bazaiti. Kush ju përzgjodhi dhe përjetuat kimi mes njëri-tjetrit?

Përzgjedhjen e bëri ideatorja e këtij projekti. Në një punë profesionale si kjo, normalisht, që pa kimi nuk do të ishte në këto nivele. Por kjo kimi lind dhe vdes aty.

E nuk ishit vetëm, pasi duket se shumëfishoheni nga dublantët tuaj. Mbi ç’kritere u përzgjodhën imazhet e tjerë të klipit?

“Dublantët” në klip personifikojnë pengesat, ose ata persona që nuk i lejojnë dy protagonistët të bashkohen. Të gjithë të tjerët në set janë balerinë dhe modelë.

Fundi i klipit është një bashkim duarsh mes teje dhe Danias, një dashuri sublime që e lartëson çiftin e dashurinë në fluturim. Si u realizuan ato skena, a pati momente rreziku?

Kemi qenë të kapur duke qëndruar në ajër në mënyrë shumë komode. Siguria ka qenë 100%, përkundrazi, unë e kam shijuar fluturimin në maksimum, sikur të isha duke xhiruar në Hollywood.

Komenti që ke marrë apo merr për portretin nga vajzat, është se u dukesh bukurosh, mashkull i vërtetë, apo seksi?

Është një fjalë tjetër që i përmbledh të gjitha këto…

Çfarë kërkoi Genti nga ju për ta realizuar si duhet, pasi dihet që këtë këngë ai ia ka dedikuar të dashurës së zemrës, Andias?

Genti kërkoi ndjesinë brenda secilit nga ne dhe transmetimin e asaj ndjesie të pastër e të bukur, që të bën të fluturosh.

Sa e ke ndjerë këtë këngë në lëkurën tënde dhe për kë ndjeve mall kur e interpretove?

Nuk është e thënë të ndjesh mall, pasi teksti e muzika mund të japin ndjesi, të cilat përshtaten me situata nga më të ndryshmet.

Si ishte të punoje me Ajola Xoxën, ç’mund të veçosh nga bashkëpunimi juaj?

Ishte kënaqësi të punoja me Ajolën, pasi atë ide të cilën ajo e kishte, nëpërmjet qetësisë karakteristike të saj dhe komunikimit perfekt me të gjithë, përfundoi me këtë klip perfekt.

Nga roli te filmi “Agon” deri tani, cilat kanë qenë angazhimet e tua si aktor?

Kanë qenë të pakta dhe të sakta, pasi u jam fokusuar studimeve, të cilat më kanë bërë të jem i suksesshëm në një fushë tjetër, e cila është marketing. / PANORAMA PLUS