.

Ishte pjesë e grupit kriminal/ Dënohet me 14 vite burg ish-polici shqiptar në SHBA (emri)

Një ish-polic shqiptar, i cili ndihmonte një organizatë kriminale për të shantazhuar bizneset në Queens, Nju Jork, është dënuar me 14 vite burg nga Gjykata e Bruklinit në SHBA.

Besnik Llakatura, 38 vjeç, ka qenë ish-oficer policie në Amerikë. Në vitin 2013 ai ishte oficer aktiv në zonën e Staten Island, por njëherazi ishte ishte aktiv edhe në një grup kriminal që drejtohej po nga një tjetër shqiptar, Redinel Dervishaj.

Ky grup kriminal u vendoste gjoba bizneseve duke i shantazhuar dhe kërcënuar. Ish-polici Besnik Llakatura shantazhonte biznesmenë, duke i detyruar të paguanin mijëra dollarë në muaj.

Në dhjetor të vitit 2015, Llakatura pranoi fajësinë në Gjykatë dhe u shkarkua nga Departamenti i Policisë së Nju Jorkut. Ai tha para hetuesve se drejtuesi i grupit kriminal, Redinel Dervishaj ishte një person i rrezikshëm dhe kishte lidhje me krimin e organizuar shqiptar.

Sipas avokatëve të Besnik Llakaturës, 38-vjeçari bëri gabim të madh duke u bashkuar me organizatën e Redinel Dervishaj, vëllai i të cilit Plaurent Dervishaj është një person në arratisje dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli dhe autoritetet amerikane.

Ndërkohë, marsin e vitit të kaluar një gjykatë federale amerikane dënoi me 57 vite burg Redinel Dervishajn dhe me 18 vite burg një anëtar të bandës të tij, Denis Nikolla. /Tvklan