.

Serbia anulon ndeshjen me Kosovën, Federata Evropiane e Handbollit e përjashton nga gara

Gjatë ditës së sotme, autoritetet zyrtare serbe anuluan ndeshjen e hendbollit mes Kosovës dhe Serbisë. Ministri serb Stefanoviç në deklaratën zyrtare bëri me dije se shkak për anulimin e ndeshjes është fakti se nuk duan të ketë përplasje mes popullit dhe policisë.

Ndërkohë pas këtij vendimit të Serbisë, Federata Evropiane e Hendbollit ka vendosur që të përjashtojë nga gara ekipin kombëtar serb.

Si rezultat i intervenimit të autoriteteve qeveritare në Serbi, ndeshja kualifikuese në kategorinë e femrave në grupmoshën nën 20-vjeç, në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ishte parashikuar të mbahej më 23 mars, nuk është mbajtur”.

“Për shkak të rrethanave, pas anulimit të ndeshjes dhe dështimit të Serbisë që kjo ndeshje të mbahej, Federata ka vendosur që ekipi i Serbisë të përjashtohet nga gara e mëjtejme”, thuhet në njoftimin e Federatës Evropiane të Hendbollit.

Lidhur me vendimin e autoriteteve serbe, ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, e cila ka thënë se ndjen keqardhje që është anuluar ndeshja, shkruan rel.

Qeveria ka thënë po ashtu se “krijimi i situatave të frikshme dhe armiqësore, kur në fushë të sportit duhej të shfaqeshin vajza të reja të cilat do të ofronin lojë dhe spektakël sportiv, është papërgjegjësi e shtetit serb dhe institucioneve të rendit dhe të sigurisë të Serbisë”.

Ndërkaq, Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se lojëtare e hendbollit të Kosovës nuk do të luajnë asnjë lojë në turneun kualifikues për Kampionatin Botëror në Serbi.

Përveç lojës kualifikuese në hendboll në mes të ekipit të Serbisë dhe Kosovës, nuk do të ketë lojë ndaj Kosovës dhe Norvegjisë të shtunën, po ashtu as ndeshjet që janë paraparë që lojëtaret e Kosovës të zhvillojnë të dielën. Vendimi për anulimin e ndeshjeve të lartëpërmendura është bërë për të parandaluar çdo konflikt të mundshëm në mes të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.