.

Lojën e kujt po bën Albin Kurti?

Sa e lehtë është të shkatërrohet pavarësia! Dhe ç’është më ironikja, kjo të bëhet pikërisht në emër të pavarësisë, të paprekshmërisë së territoreve.
Vetëvendosja u bë shpejt pjesë e politikës kosovare për shkak të korruptimit të elitave të vjetra politike të dala nga lufta. U duk qartë në popull që tek këta të fundit primare ishte interesi personal dhe më pas ai i Kosovës. Ndaj dhe protestat e Vetëvendosjes si organizatë e shoqërisë civile, pas themelimit në vitin 2004 ngjitën shumë në popull. Albin Kurti ishte pa dyshim një “yll në ngritje”. Siç pritej dhe siç duhet të ndodhte kjo lëvizje u kthye në parti politike dhe sot është partia më e madhe në Kosovë. Por me sa duket kjo gjë nuk po kuptohet nga Alban Kurti dhe Vetëvendosja. “Show” i radhës me gaz lotsjellës në kuvendin e Republikës së Kosovës në një moment historik si ai kur duhet të votohet Demarkacioni me Malin e Zi, është dëshmia e radhës. Ambasadori Amerikan në Kosovë, përfaqësuesja e BE-së në Prishtë dhe i gjithë trupi diplomatik dënojnë veprimet e kësaj force politike dhe i quajnë ato jo evropiane. Atëherë lojën e kujt po bën Albin Kurti që në këtë mënyrë mban të bllokuar lëvizjen e lirë të kosovarëve por edhe i jep jetë tezës që Kosova (shqiptarët) nuk mund të bëhet shtet, nuk mund të vetëqeveriset? Unë nuk e di se lojën e kujt po luan Albin Kurti, me shumë gjasa thjesht lojën e tij të brendshme politike e asgjë më shumë, por e sigurt është që kjo situatë veçse duartrokitet në Beograd.
Demarkacioni me Malin e Zi nuk është një marrëveshje e përkryer, ndoshta nuk është marrëveshja më e mirë që mund të firmoset, por ajo duhet miratuar. E kërkon Washingtoni, e kërkon Brukseli, ata që sot po e mbajnë në këmbë pavarësinë e brishtë të Kosovës, ata që e sollën pavarësinë dhe ata që janë të vetmit ta ruajnë atë. Në Kosovë ende nuk ka dalë një deputet i Vetëvendosjes që të thotë se lideri ynë është Skënderbeu, si në Tiranë, por nëse Kurti e mendon këtë gjë atëherë gabohet rëndë. Nuk është ai që e solli pavarësinë e Kosovës e për këtë arsye nuk duhet të bëhet pengesë për dobësimin e saj. Izolimi dhe lufta me Washingtonin dhe Brukselin nuk janë tiparet e një lideri të shekullit të 21 edhe pse ai mund të marrë disa vota më shumë se liderët e korruptuar të partive të tjera politike. Pyes veten se si do të ishte Kosova nën drejtimin e Albin Kurtit si kryeministër dhe dy variantet e përgjigjeve që më vijnë në mendje, nuk më pëlqejnë aspak. Nëse nuk ndryshon sjellje, do kemi një Kosovë të izoluar që nuk ka “armik” vetëm Serbinë, por edhe SHBA-në dhe BE-në. Varianti tjetër është ai i një Albini të njëjtë me Thaçin, Isa Mustafën, Ramush Haradinajn kryeministër, pra pragmatist! E kur të pyetej nga gazetarët se pse nuk po mendoni si dikur në opozitë, me siguri do të thoshte “ po bëja thjesht lojën time politike”, siç tha dikur Berisha kur u takua me Fatos Nanon. Edhe ky është një skenar po aq fatkeq sa i pari. Ajo që e bën edhe më fatkeqe situatën e kësaj force politike është se Albin Kurti ka treguar se është i gatshëm të ndjekë të dy këta skenarë nëse një ditë do të vinte në pushtet. Të parin duke vazhduar ti qëndrojë fort skandalit të gazit lotsjellës në Kuvend dhe skenarin e dytë kur vendosi të rikthehet në pushtet duke larguar nga Vetëvendosja të gjithë kundërshtarët e mundshëm. Dhe të mendosh që e gjitha kjo mbulohet me petkun e dashurisë për Kosovën.

Ervin Toti