.

‘Lobimi rus i PD’/ Reagon ashpër ambasadori Karpushin: Moska zyrtare e habitur, nëse ecin me këtë ritëm do të arrijmë në një pikë që…

Teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Java’ në RTSH, ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin ka komentuar çështjen më të nxehtë në arenën politike shqiptare, siç është ‘lobimi rus i PD-së’.

Karpushin gjatë fjalës së tij në emission tha se Moska zyrtare ka mbetur e habitur nga deklaratat e fundit që e shohin Rusinë si “perandorinë e së keqes”, si edhe tha se këto retorika i kujtojnë retorikën e Enver Hoxhës.

Kohët e fundit na kanë habitur jashtë mase përpjekjet e disa mediave shqiptare, po edhe të disa përfaqësuesve të organeve shtetërore, për demonizimin e Rusisë. Të krijohet përshtypja që qëllimi i tyre është për të bindur qytetarët shqiptarë se vendi ynë është një “perandori e së keqes”, ndërsa rus do të thotë armik”, tha gjatë fjalës së tij ambasadori Karpushin.

Reagimi i Ambasadorit:

Për sa i përket gjendjes aktuale dhe perspektivave të zhvillimit të marrëdhënieve Rusi-Shqipëri, duhet theksuar që ato kanë tradita të pasura të lidhjeve shumë të ngushta, madje vëllazërore. Sigurisht që pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike në 1961 jemi përballur me një reduktim të bashkëpunimit tonë. Ndërsa në 28 vite të fundit marrëdhëniet tona, nëse i shikojmë në tërësi, kanë qenë normale dhe miqësore. Nuk kemi asnjë problem të pazgjidhur bilateral, të mos flasim për konflikte. Dhe kjo na jep shpresë që raportet tona do të përmirësohen edhe më tej dhe ne do t’ia dalim t’i çojmë në atë nivel të lartë që kemi pasur në periudhën e pasluftës.

Në këtë kuadër do të doja ta mbështesja me kënaqësi vullnetin e shprehur nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në intervistat e tyre të fundit për të zhvilluar lidhjet ekonomike, tregtare dhe kulturore me Rusinë. Aq më tepër se lidhjet tona në fushën e arsimit dhe kulturës po zhvillohen mjaft mirë. Unë dua të ndaj me ju një lajm të gëzueshëm: këtë vit u kemi akorduar maturantëve shqiptarë 50 bursa studimi falas për në universitetet e Rusisë. Ky është një rekord i ri! Dhe ne jemi të lumtur që arsimi rus me cilësi shumë të lartë vazhdon të jetë i kërkuar nga të rinjtë shqiptarë.

Po të flasim për planet tona të afërta, çështjet më aktuale të axhendës dypalëshe janë organizimi i një raundi të radhës te konsultimeve diplomatike midis ministrive të jashtme dhe mbledhja e Komisionit Ndërqeveritar për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, i cili u zhvillua për herë të fundit në vitin e largët 2009.

Janë aktivizuar gjithashtu lidhjet turistike. Vazhdon faza finale e bisedimeve për vendosjen e një linje direkte charter midis Moskës dhe Tiranës për periudhën qershor-shtator të këtij viti. Veç kësaj, do të vazhdojmë të nxisim kontakte të mëtejshme midis dhomave të tregtisë së dy vendeve, si edhe do të realizojmë me kolegët shqiptarë projekte të përbashkëta kulturore. Shpresoj që të gjitha këto nisma do të vihen në jetë dhe të na ndijmojnë në rigjallërimin e dialogut tonë, i cili, për fat të keq, ende nuk ka dinamizëm dhe pragmatizëm të mjaftueshëm.

Pra, për momentin nuk mund t’i quajmë marrëdhëniet tona si të mirëfillta dhe të gjithanshme për shkak të politizimit të tyre të tepërt.

Kohët e fundit na kanë habitur jashtë mase përpjekjet e disa mediave shqiptare, po edhe të disa përfaqësuesve të organeve shtetërore, për demonizimin e Rusisë. Të krijohet përshtypja që qëllimi i tyre është për të bindur qytetarët shqiptarë se vendi ynë është një “perandori e së keqes”, ndërsa rus do të thotë armik. Deklaratat e fundit që kemi dëgjuar për “tentakulat e Moskës”, të cilat gjoja janë shtrirë në të gjithë rajonin e Ballkanit, ngjanë më së shumti me retorikën e kohës së Enver Hoxhës, por aspak me deklaratat e politikanëve të një vendi modern dhe demokratik.

Po të vazhdojmë të ecim me këto ritme, mund të arrijmë në një pikë kur edhe adhuruesit e Dostojevskit dhe Tolstoit do të stigmatizohen si “agjentët e Kremlinit”. Për mendimin tim, kjo është një tendencë shumë e rrezikshme”.