.

“Bashkëpunimi politik”: Të zgjedhurit e PD dhe PS vodhën Ranën e Hedhun

Lezha ishte një shesh i fortë beteje mes socialistëve dhe demokratëve. Në zgjedhjet e vitit 2015, të djathtët mundën të fitojnë bashkinë me kandidatin Fran Frrokajn, ndonëse përballë kishin Partinë Socialiste në të cilën Arben Ndoka, ish deputeti kishte një rol parësor.

Pas zgjedhjeve lokale, në krye të qarkut të Lezhës u zgjodh Gjok Ndoka, xhaxhai i ish deputetit. Të dy këta personazhe, si demokrati Fran Frrokaj ashtu edhe ish socialisti Gjok Ndoka, janë arrestuar me akuzën e vjedhjes së tokave në zonën e njohur si Rana e Hedhun.

 

Kjo ka ndodhur në një kohe kur politikisht ishin kundërshtarë, por në skemën abuzive me tokat, sipas prokurorisë, janë bërë bashkë. Në mars 2017 socialistët mblodhën votat për të shkarkuar Gjok Ndokën, i cili ankimoi vendimin e më pas iku te LSI. Në disa pamje të kohës Ndoka duket ndërsa shoqëron Ilir Metën, kur atëherë presidenti i zgjedhur, pak ditë para zgjedhjeve te 2017, vizitoi kryeplakun e LSI-së në fshatin Rraboshtë, i cili ishte dhunuar.

Në bashkinë e zbrazur pas arrestimeve, nënkryetarja Alfrida Marku ka mbetur zyrtarja më e lartë.

“Drejtuesit e saj nuk kanë target ligjore dhe as të drejtat për të konsumuar veprën penale për të cilën kryetari dhe nënkryetari i saj janë ndaluar dhe kaluar në proces gjykim. Bashkia vetëm orienton qytetarët mbi pretendimet e tyre lidhur me pronësinë dhe veproni në llogari të tyre në entet përgjegjëse rajonale apo kombëtare. Çdo pretendim tjetër është jashtë tagrit të veprimit institucional të kësaj bashkie. Në emër të bashkisë Lezhë dhe të gjithë qytetarëve dua të besoj se integriteti i gjykatës do të triumfojë mbi interesa të ngushta palësh dhe ativizma politikë të gjithëkujt”, thotë Alfrida Marku.

Ndërsa në Tiranë, kryedemokrati Lulzim Basha nuk e mbrojti njeriun e tij, duke ia lënë drejtësisë.

“Urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, nga qytetarët e thjeshtë tek politikanët më të lartë. Ne kërkojmë që hetimi të jetë transpraent, jo politik dhe i paanshëm. Shqiptarët meritojnë një drejtësi të pastër dhe profesionale dhe jo një drejtësi të kapur dhe ndikuar nga axhenda politike për drejtësi selektive të drejtuar ndaj një krahu politik në favor të një krahu tjetër”, tha Basha.

Pas kësaj deklarate Basha së bashku me nënkryetarin Paloka, shkuan në Lezhë. Atje disa dhjetëra të afërm të të arrestuarve janë mbledhur para drejtorisë së policisë ku qëndrojnë të ndaluarit për korrupsion me tokat. /Top Channel