.

Zbardhet skandali/ Ish-zyrat e Njësisë bashkiake kthehen në vendgrumbullim plehrash

Prej rreth 4 vitesh, 5 anëtarët e familjes Hamiti në Durrës jetojnë në godinën e ish-zyrave të njësisë nr 2, mes lagështirës, mykut e kushteve skandaloze higjeno-sanitare.

Pa tualet, pa ujë dhe pa asnjë ushqim në tryezë familja Hamiti tregon se për të siguruar ushqimin e përditshëm detyrohen të kërkojnë ç’të munden në kazanë plehrash. Të ardhurat financiare janë vetëm 100 mijë lekë të vjetra që merr nëna e kryefamiljarit Fatjon Hamiti, e cila është e sëmurë me Tumor.

Nusja e shtëpisë tregon se disa herë janë helmuar pasi ushqehen me çfarë gjejnë në plehra. “Gjejmë nëpër plehra dhe hamë. S’kemi punë vetëm shkojmë dhe gjejmë gjëra nëpër plehra. Edhe vajzës së vogël nga ato i japim. Ka shkuar disa herë në spital, por s’kemi as lekë për ilaçe”, shprehet 19-vjeçarja me lot në sy.

Veç kushteve të vështira kjo familje përballet edhe irritimin e banorëve përrreth të cilët ankohen për erën e rëndë që vjen nga grumbullimi i plehrave, fare pranë godinës së kopshtit të fëmijëve.

Kryetari i njësisë nr 2. disa herë u ka kërkuar që të braktisin godinën shtetërore por, nuk u ka dhënë asnjë zgjidhje se ku mund të zhvendosen.

“E di që familja jeton nëpërmjet grumbullimit të materialeve. Nuk di të ketë një ankesë nga banorët por nga kopshti ka patur për shkak të erës së keqe dhe shqetësimeve të tjera që sjellin. Ne kemi shkuar disa herë atje dhe i kemi thënë mbajeni pastër. Nëse jo, ata siç kanë ardhur mund të largohen. Ne si njësi nuk kemi mundësi veçse të ndërhyjmë pranë komisionit të strehimit. Dy zgjidhje ka. Të marrin masa të mos krijojnë grumbullime të mëdha (plehrash) dhe e dyta ta lenë këtë banesë. Tjetër zgjidhje nuk ka.” Shprehet administratori Leonard Koca.

Si pjesë e komunitetit egjiptian vend banimet e kësaj familje kanë qënë të ndryshme ndaj kanë patur edhe vështirësi në plotësimin e dokumentacionit për të përfituar ndihmë ekonomike. Mungesë kjo, që e bën familjen e varfër edhe më të varfër!/ TCh