.

Skandali me pronat në Lezhë/ Zbulohet roli i kreut të bashkisë

Skandali me pronat në Lezhë ka përfshirë një sërë emrash zyrtarësh të lartë. Në krye të listës me 23 persona të akuzuar në këtë skemë mashtrimi qëndron kreu i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Policisë në Lezhë Ferdinand Mara ka dhënë detaje rreth arrestimeve të bëra ditën e sotme.

Mara tha se janë arrestuar 12 zyrtarë dhe shpallur në kërkim 11 persona në lidhje me këtë dosje.

“Deri tani janë arrestuar dhe ndaluar 12 zyrtarë publikë dhe janë shpallur në kërkim 11 zyrtarë e shtetas të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”, u shpreh para mediave, Mara.

Ndërkohë lidhur me këtë çështje ka folur edhe drejtori i Hetimit te Krimet Ekonomike Financiare, Lutfi Minxhozi ka sqaruar edhe rolin e kreut të Bashkisë në këtë skemë mashtrimi.

Sipas Minxhozit roli i Frrokajt ka qenë përshpejtimi i procedurave të tjetërsimit të pronave.