.

Kur Edi Rama e quante Berishën “Rilindas”

Dhe një rrëfenjë për… “një dashnor romantik me pardesy të bardhë e kapele të zezë republike që i shkruante Shqipërisë letra me humor të zi, që pinte whisky dhe «Marlboro» e që e donte aq shumë sa nuk mundi asnjëherë ta trajtonte siç e lyp kanuni”

“Rron or rron nuk vdes shqiptari”, është titulli i një rrëfenjë që Edi Rama e ka shkruar në vitin 1995, në revistën Përpjekja. Ishte koha kur Rama ishte ndër publicistët më të spikatur, një ndër kritikët më të fortë të  pushtetit të kohës. “Shëmbëlltyrë e përçudnuar e diktaturës” i quante demokratët e viteve të para të pluralizmit. “…të besosh se nga honet e një shpirti të tillë, që u bë platformë morale e diktaturës, mund të dalë tjetër gjë veç shëmbëlltyrës së përçudnuar të saj, është njësoj si të besosh se nga platforma e aerodromit të Gjadrit mund të ngrihet për në Hënë një anije kozmike”, shkruante ndër të tjera Rama.

Duket kohë kaq e largët dhe në fakt e largët është sepse janë 23 vjet ndërmjet dhe Edi Rama i asaj kohë as që i ngjet këtij të tanishmit. Kemi shkëputur një pjesë të shkurtër nga rrëfenja e Ramës, ku me ironi i quan “Rilindas” demokratët e asaj kohe… Ndoshta nuk e kishte menduar se do të vinte kjo kohë, kur do të kthehej vetë në një “Rilindas” të ngjashëm me ata, për të cilët shkruante e fliste me përbuzje.

Rron or rron nuk vdes shqiptari

“…..E kotë të përsërisësh që Rilindasit e sotëm e duan Shqipërinë si hobe për ta gjuajtur mbi kokat e atyre që duan të afrohen me botën, me diturinë, me qytetarinë, me tregtinë, e kotë të thuash se çdo hapje karshi botës është një tullë e hequr në murin e tyre refraktar, e kotë të nënvizosh se me një fjalë ata i duan shqiptarët si «të egërë nëpër malet», sepse po të ishte ndryshe ata nuk do të kërcenin zgupthi përpara shfaqjeve të Shpirtit të Lirë si të ishin përpara Shëmbëlltyrës së Shejtanit. Dhe ata kanë një arsye tepër të fortë t´i ikin lirisë siç i ikën djalli thimjamit: Muri i Kulturës së tyre i ka themelet në diktaturë dhe shpirti i tyre gjallon i balsamosur nën mumjen e kulturës totalitare. E të besosh se nga honet e një shpirti të tillë, që u bë platformë morale e diktaturës, mund të dalë tjetër gjë veç shëmbëlltyrës së përçudnuar të saj, është njësoj si të besosh se nga platforma e aerodromit të Gjadrit mund të ngrihet për në Hënë një anije kozmike. Tek shoh rrëfenjën time të fashitet dalëngadalë bashkë me hënën në qiellin e zbardhur të këtij mëngjezi, mendja më vete tek miku im i dashur Fron Nazi. Në këtë orë në Bronksin e tij hëna duhet të ndrisë fort. I rrethuar siç është me raketa që nisen përditë drejt saj, qytetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Fron Nazi nga Puka mund t´ia kishte mbathur kur të donte për atje lart, por ja që ai preferoi të zbriste në shpellën e errët të dheut të të parëve për të ndërtuar Shoqërinë e Hapur. Zbriti dhe u vra nga burrat me kanun, të cilët e zunë duke bërë dashuri të ndaluar me Shqipërinë. Nuk mund të mbaronte ndryshe kjo rrëfenjë vetëm se duke e lënë aty ku filloi, tek ky dashnor romantik me pardesy të bardhë dhe kapele të zezë republike që i shkruante Shqipërisë letra me humor të zi, që pinte whisky dhe «Marlboro» e që e donte aq shumë sa nuk mundi asnjëherë ta trajtonte siç e lyp kanuni”. Marrë nga revista Përpjekja. 15 dhjtor 1995.

Luljeta Progni, shkruar për hapur.al