.

Takon Aldo Baren në burg, ministrja Gjoni: Takim pune, Noka s’resht së zhgarravituri

 

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi sot një vizitë në burgun e Peqinit, për inspektimin e ambienteve të brendshme, duke vizituar dhe disa të burgosur.

Mes të burgosurve që ministrja vizitoi, ishin dhe Aldo Bare dhe Enver Dondollaku.

Menjëherë pas kësaj vizite, ka reaguar deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili nuk vonoi të hidhte akuza, duke thënë se kjo vizitë mund të jetë bërë që Edi Rama të shantazhojë dikë.
Por, ministrja Gjonaj iu përgjigj Nokës në Facebook, se vizita në burg është zhvilluar brenda normalitetit.

“Këtë detyrë e kam marrë me të gjithë përgjegjësinë që ajo ka dhe prej ditës së parë, e kam pasur plotësisht të qartë edhe detyrën, edhe me çfarë do të duhet të përballesha. Përfshirë edhe zhgarravitësat profesionistë të mjedisit të debatit publik”, shkruan ndër të tjera Gjonaj.

Postimi i plotë

Kthej mbrapsht me përçmim sulmin e ulët të Partisë Demokratike, përmes një prej figurave më të diskredituara të teatrit politik opozitar, lidhur me vizitën time të punës në IEVP e Peqinit.

Vizita ime është zhvilluar brenda normalitetit të detyrës sime si Ministre e Drejtësisë. Këtë detyrë e kam marrë me të gjithë përgjegjësinë që ajo ka dhe prej ditës së parë, e kam pasur plotësisht të qartë edhe detyrën, edhe me çfarë do të duhet të përballesha. Përfshirē edhe zhgarravitësat profesionistë të mjedisit të debatit publik.

Kam bindjen se çdo njeri normal që i lexon apo dëgjon marrëzira si kjo e sotmja ndaj meje (dhe fatkeqësisht ndodhin përditë), e kupton pa asnjë mundim se burimi i tyre është dëshpërimi i një opozite që ka humbur gjithçka.