.

Shënim/ Ditëlindja e 55-të Azem Hajdarit, fillimet dhe fundi i një lideri

 

 

Gramoz Pashko shtator 1992: Mos ia hiqni imunitetin Azemit…Imagjinoni disa vjet më pas, kur të shkruhen këto gjëra në shtyp. Kjo do të jetë një përgjegjësi shumë e madhe për të gjithë ne që jemi këtu në këtë sallë…

 

Azem Hajdari, mars 1998: Nëse mendoni se idetë e Azem Hajdarit burgosen, gaboheni! Nëse ju mendoni se prangat në duart e Azem Hajdarit i bëjnë ndonjë dëm, gaboheni! Pse? Sepse ju jeni bindur këtu, në këtë Parlament, se mua 5 plumba nuk më kanë bërë dot asgjë…

 

 

“…një gotë verë për shpirtin tënd të lirë”, është mesazhi që vjen nga miku i hershëm i Azem Hajdarit, bashkëpunëtor në Lëvizjen Studentore për rrëzimin e komunizmit, Bislim Ahmetaj. E ka lajmëruar herët në mëngjes pyetjen e tij në fb: “Ku ta festoj ditëlindjen tëndë Azem?!… Janë ndjesi krejt të natyrshme që vijnë nga bashkëkohës të Azem Hajdarit. Sepse Azem Hajdari iu mungon më së shumti studentëve të dhjetorit. Ishte më i pari ndër ta, më guximtari dhe njeriu më dinamik i zhvillimeve të rëndësishme politike të vitit 1990. Azem Hajdari jetoi vrullshëm 8 vitet e para të demokracisë, deri më 12 shtator, kur u vra para selisë së Partisë Demokratike.

Këtë 11 marsdo të ishte duke festuar 55-vjetorin, ndoshta mes miqsh demokrat por ndoshta edhe jo. Sepse është goditur e sulmuar njësoj si nga të majtët edhe të djathtët.Jeta e tij politike prej tetë vitesh është intensive, ka shumë më tepër ngjarje se jeta 28-vjeçare e shumicës së politikanëve që janë sot në parlament, e nëpër parti politike.Në ditëlindjen e tij të 55-të, ndoshta do të ketë shumë mesazhe nga miq e bashkëkohës politik të tij edhe nga familjarët. Hapur.al, zgjedh ta kujtojë ditëlindjen e liderit të lëvizjes së dhjetorit, më fillimet dhe fundin e tij në politikë. Pikërisht me dy momente kritike të jetës së tij politike, atë të vitit `1992 kur demokratët po i hiqnin imunitetin dhe atë të vitit 1998, kur socilaistët gjtihashtu po i hiqnin imunitetitn. Ka shumë debate në dy seancat parlamentare, të shtatorit të vitit 1992 dhe atë të shkurtit të vitit 1998.

Beteja me demokratët

Në vitin 1992, PD vendosi t’i heqë imunitetin Hajdarit pasi akuzohej se kishte dhunuar fizikisht një zyrtar të administratës së PD-së. Në atë kohë ishte Gramoz Pashko ndër të paktit demokrat që e mbronte Hajdarin. Më poshtë kemi shkëputur një pjesë të shkurtër të fjalimit të Pashkos në seancëne  shtatorit 1992, ku PD votonte heqjen e imunitetit të liderit të saj të parë. Në atë fjalim, Pashko paralajmëronte se vite më vonë do të shkruhej në media për vendimet që po merreshin ato ditë në parlament kundër Azem hajdarit…” Imagjinoni disa vjet më pas, kur të shkruhen këto gjëra në shtyp “… Dhe ja ku jemi sot duke shkruar pikërisht atë çfarë parlajmëronte Pashko kur thoshte se pas shumë vitesh do na vijë turp nga aktet tona…

 

Gramoz Pashko, seancë parlamentare, shtator 1992

..Azem Hajdarin unë e kam njohur që në natën e parë. Më ka thirrur në mes të natës, jemi takuar në godinën e studentëve, sipër, dhe Azem Hajdari është ai të cilit i dedikohemi shumë. Unë mund të kem divergjenca me zotin Hajdari, mund të kem mendime të ndryshme nga ai, por më duket se këtë radhë çështja nuk është se zoti Hajdari po atakohet për mendimet e tij, çështja po shtrohet jo se Hajdari po atakohet sepse ka një ideologji të caktuar. Mua më duket se çështja e fyen atë dhe na fyen të gjithëve ne, ai po atakohet si person. Me të drejtë u tha që Azem Hajdari po atakohet për një çështje krejtësisht ordinere. Dhe nuk do të jetë në nderin tonë që të dënojmë një nga nismëtarët e demokracisë shqiptare për një çështje krejtësisht ordinere. Unë shpreh edhe një herë votën time kundër heqjes së imunitetit. Imagjinoni disa vjet më pas, kur të shkruhen këto gjëra në shtyp do na vijë turp…. Kjo do të jetë një përgjegjësi shumë e madhe për të gjithë ne që jemi këtu në këtë sallë.

Beteja me socialistët

Një tjetër moment kyç në jetën politike të Azem hajdarit, është koha kur socilaistët i hoqën imunitetin në pranverën e vitit 1998. Pas një përplasje me disa drejtues policie në Shkodër, Azem Hajdari, u gjend para sulmeve të ashpra të deputetevë socialistë të cilët ia hoqën imunitetin, ndoshta edhe për ta arrestuar më pas. Kemi zgjedhur një pjesë të shkurtër nga fjala e Azem Hajdarit në atë seancë, e cila në të vërtetë është edhe fjala e fundit që ai ka mbajtur në parlament. Prej asaj dite kur i hoqën imunitetin, ai nuk u kthye më në seancat parlamentare..dhe më 12 shtator të atij viti, Azem Hajdari u vra para selisë së PD-së.

 

Azem Hajdari , seancë parlamentare, mars 1998

…Më falni zotërinj deputetë për tonin që po përdor, por nganjëherë nuk më ndihmojnë bindjet ta përdor këtë ton, po më ndihmojnë deklaratat dhe pseudodeklaratat e njerëzve që janë tërësisht të papërgjegjshëm. Nëse mendoni se idetë e Azem Hajdarit burgosen gaboheni, nëse ju mendoni se prangat në duart e Azem Hajdarit i bëjnë ndonjë dëm gaboheni.Pse? Sepse ju jeni bindur këtu, në këtë Parlament, se mua 5 plumba nuk më kanë bërë dot gjë.

E keni këtë bindje, i kam këtu në trupin tim, jo për arsye kanunore, por për arsye se di të mbroj idetë e mia, për arsye se dola në dhjetorin e 1990-ës për të mbrojtur idetë e mia.

Nuk mungojnë këtu disa deputetë që për 4 vjet më sulmuan, të përzier, ose jo me piramida dhe ndërtojnë apo nuk ndërtojnë pallate, ndërsa Azem Hajdari nuk ka asnjeri në punë as në dogana, as në prokurori, as në Shërbimin Informativ Kombëtar, kam qenë dhe kam mbetur djalë i një punëtori dhe i një pastrueseje.

Nëse klani i Hoxhës apo ai i Kapos mendon se i erdhi koha, mbas 7 vjetësh, të godasë Azem Hajdarin, unë po i them se gabohet, gabohet dhe gabohet shumë rëndë.Azem Hajdari është shumë vështirë të nënshtrohet nga ata njerëz të cilët mendojnë që funksioni i sotëm u jep mundësi për të justifikuar fytyrat e tyre. Prandaj unë e kam thënë në deklaratën time dhe e përsëris edhe një herë: do të vazhdoj ushtrimin e sovranitetit të votës sime në tërë Shqipërinë, do të vazhdoj ushtrimin e integritetit të votës sime dhe të forcës sime politike në tërë Shqipërinë….

…Zotërinj drejtues të Kuvendit, edhe një herë do të përsëris, nëse respektohen lojërat e politikës, ju ftoj t’i respektoni ato. Unë edhe një herë e përsëris: poshtë ky Parlament! Çfarëdo qendrimi të mbani ju, bindja ime që ky është Parlament i bandave nuk ndryshon, bindja se ju nuk kini burgje për të mbyllur idetë e mia, kurrën e kurrës nuk ndryshon. Bindja ime për të denoncuar të vërtetën kurrë nuk ndryshon.

Pse nuk u bë emisioni debat, kush kishte frikë nga emisioni i së dielës, ku unë do të dilja me video dhe me prova për të provuar fajësinë e atyre personave që ishin përfshirë në ngjarjet e Marsit të vitit të kaluar. Kur mërzitet Meksi me mua më fut në burg vëllanë, pse unë e luftoj për paratë që ishin futur në piramida, që i kërkoja dyfishimin e pagave, kur mërzitet Fatos Nano me mua, më nxjerr prita nëpër rrugë.

Këto nuk janë lojëra, këto janë meskinitete, ky është Parlament Makbethian dhe çfardolloj qëndrimi të mbani është në turpin tuaj. Ora 12 ka për t’ju ndenjur. Në tërë Shqipërinë do të luftoj që ky Parlament të ndryshojë, që këtu të vijë një qeveri teknike, që në këtë vend të fillojë stabiliteti dhe integriteti i vendit. Duart e Azem Hajdarit ja ku i keni, këtu do të rri, në Shqipëri.