.

Përçmimi ndaj mësuesve!

“Ai është mjek. Kushedi sa lek ka vënë. S’ka ç’i bën. Imagjino për një operacion merr 200 mijë, 6-7 operacione në ditë…”. “Ajo është mësuese. i zhvati fëmijët, këtej ju merr lekë, andej kurse… Pa le më 7 mars.” “Ai është polic. Aha polic. S’di ku ti futë lekët. Namin ka bërë.” “Po ajo? Ajo është inxhiniere. E ke dëgjuar sa ka shkuar metri katror? Imagjino çfarë fitimi”…

Këto nuk janë fjalë që i thonë vetëm nëpër kafet e tejmbushura. Ky është opinion që kanë shumica e shqiptarëve për çdo njeri që ushtron një profesion. Përbaltje, përbaltje, përbaltje. Nuk ka rëndësi cili është, por sapo shohin një bluzë të bardhë mjeku, një uniformë mësuesi a polici, një gazetar me mikrofon në dorë, marrin një copë baltë dhe ja hedhin. E bëjnë të gjithë: që nga kafexhinjtë e papunë, deri tek të papunët e rrjeteve sociale.

“Bjeri se ky ka një profesion që nxjerr lekë me thasë“. Shpesh mund ta bëjnë edhe për të nxjerrë ndonjë lek nëpërmjet shantazhit, ose në rastin më të mirë kalojnë kohën. Sapo afrohet 7 Marsi të gjithë ju sulen mësuesve për të ushqyer një fushatë përbuzje dhe përçmimi, madje ju sulen çantave të nxënësve duke rrëmuar nëpër to për të gjetur se çfarë do të përfitojnë mësuesit nga festa që përkujton ditën kur u hap e para shkollë për të mësuar Gjuhën Shqipe. Nëse do të kishte një ditë të shënuar edhe për profesionet e tjera, është e sigurt që do të kthehej në një ditë revanshi ndaj atyre që ushtrojnë ato profesione.

Dhe si rrallë herë, shumica e shqiptarëve bien në një mendje: “Ata janë hajdutë dhe maskarenj.” Nostalgjikë të pandreqshëm për propagandën e kohës të diktaturës, shqiptarët e kanë hobi dënimin kolektiv ndaj atyre që politika i damkos për interest e saj. Ju kujtohet akoma koha e fletërrufeve.

Për fat të keq përçmimi ndaj atyre që ushtrojnë profesionet ushqehet edhe sot nga politikanët. Vetë ata, politikanët, janë grupimi me më pak profesionistë. Partitë politike shqiptare historikisht kanë parapëlqyer të mbushin rradhët e tyre me njerëz të paaftë, servilë dhe kriminelë që jo vetëm nuk kanë ndonjë profesion, por kanë alergji ndaj profesioneve. Po të shohësh përbërjen e qeverive gjatë këtyre viteve të tranzicionit, apo edhe të institucioneve shtetërore, drejtorive etj., me shumë vështirësi do gjesh ndonjë pjesëtar që ka punuar në një profesion, madje ka nga ata që nuk kanë punuar fare para se të merrnin teserën e partisë, ose maksimumi kanë shkruar në CV që janë angazhuar në sport.

Përçmimi i vazhdueshëm ndaj atyre që ushtrojnë profesionet bëri që shumë prej tyre të largohen duke emigruar jashtë vendit, jo vetëm për një pagë dhe jetë më të mirë, por në fund të fundit për një vlerësim dhe nderim të profesionit të tyre. Sepse dashuria që ka një njeri për profesionin e tij është diçka që nuk e kupton gjithkush. Është një dashuri që rritet që kur je fëmijë, që kur të bëjnë atë pyetjen e zakonshme “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh”,  e deri sa del në pension. Dashuria për profesionin është ndoshta dashuria që zgjat më tepër në jetë. Sepse marrëdhënia e tyre me profesionin ka diçka që baltëhedhësit nuk arrijnë ta kuptojnë, ka brenda pasionin. Ata që e duan profesionin e tyre nuk punojnë vetëm për të pritur ditën e rrogave. Shumë prej tyre e ndajnë kohën e tyre të çmuar mes familjes dhe profesionit, duke sakrifikuar çdo ditë nga vetja, nuk mbrapsen as para fyerjeve, përbuzjeve, ngacmimeve seksuale, dhunës verbale apo injorancës.

Dhe ata natyrisht që ndjehen të përbuzur nga kjo lloj fushate e përbaltjes që po vazhdon me vite. Një fushatë e ulët që ka për qëllim përçmimin e profesioneve. Një fushatë që tenton t’i bëjë ata bashkëfajtorë për vendin më të korruptuar në Evropë. I vemti faj i tyre është që nuk gjejnë kohë t’i kundërvihen këtyre qeverive të paafta dhe turmës të militantëve partiakë që vazhdojnë propagandën e përçmimit ndaj gjithkujt që nuk është si ata. Padyshim që ka mësues, mjekë, policë etj që nuk meritojnë respekt por fushatat denigruese si ajo e djeshmja, janë krejt të pajustifikueshme. Sepse ka shumë mes tyre që e duan profesionin e përmes shumë vështirësive që iu krijon sistemi, e ushtrojnë profesionin me dinjitet. Njerëzit që i duan profesionet e tyre meritojnë respekt dhe vlerësim të drejtë, sepse duke i përçmuar e përbaltur çdo ditë po shkojmë drejt një humnere të mbushur me paaftësi.

Pyeteni një fëmijë sot “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?”

hapur.al