.

Edhe ligjet shqiptare, edhe amerikane, dhe sigurinë kombëtare të të dyjave…

Nga Mero Baze

Lulzim Basha duhet të përdorte të drejtën e tij për të mos folur, njësoj si ata të arrestuarit në SHBA, që polici duke shtrënguar prangat, i këshillon se kanë të drejtë të mos flasin. Kaq thellë sa po hyn shtypi amerikan për 24 orë në këtë histori të errët të financimeve ruse të PD, nuk ka hyrë për asnjë subjekt amerikan apo të huaj tjetër, që mund të ketë cenuar interesat amerikane dhe interesat e përbashkëta të dy vendeve, në raport me influencën ruse në Ballkan.

Me deklarimet e djeshme dhe të sotme të Bashës, duke paraqitur dhe shtypin amerikan të “blerë me lekët e drogës”, si dhe përpjekjen e mundimshme për të mos e quajtur krim atë që ka bërë, ne jemi para një rasti të paprecedentë, kur dikush i kapur në krim, tenton të quajë krim kapjen e tij, dhe jo faktin që ka kryer krim.

Në historinë e pagesave të errëta për kompaninë lobiste në Uashington, ai ka shkelur fillimisht ligjet shqiptare, pastaj ato amerikane, dhe në fund sigurinë kombëtare të dy vendeve.

Ligji shqiptar i financimit të partive politike, detyron Partinë Demokratike, të deklarojë çdo shumë lekësh të përdorur në fushatë dhe burimin e tyre.

Për vitin 2017, Lulzim Basha ka deklaruar zyrtarisht vetëm pagesën për një lobist amerikan “Barnes&Thornburg”, që nuk është objekt i këtij skandali, dhe nuk ka deklaruar asnjë para për kompaninë e lobimit “Muzin Capitol Partners”, e cila është në qendër të skandalit. Pra, duhet ta bëjmë mirë diferencën. Flitet për 675 mijë dollarë të padeklaruara, të cilat janë paguar të treja këstet në emër të Partisë Demokratike, por jo nga Partia Demokratike.

Pagesa e pare 150 mijë dollarë, është bërë më 24 mars 2017 nga firma ‘Biniatta Trade LP” tek lobisti, për llogari të Partisë Demokratike, ndërsa dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor, për 500 mijë dollarë, por nuk janë deklaruar në Tiranë.

Pra ligji shqiptar është shkelur kokë e këmbë sa i përket mosdeklarimit të pagesave.

Shkelja e dytë e ligjit është mosdeklarimi i origjinës së parave.

Lulzim Basha thotë se 500 mijë dollarë i kanë mbledhur disa shqiptaro- amerikanë në Uashington, si donacion për Partinë Demokratike, dhe ja kanë kaluar kompanisë lobuese direkt. Këtu duhen emër për emër donatorët, dhe cili ishte ai fondacion që organizoi këtë fond bamirësie për Partinë Demokratike.

Shkelja e tretë e ligjit është mënyra se si kanë lëvizur paratë. Partia Demokratike ka marrë paradhënie 20.771.018 lekë për vitin 2017. Nga këto para, ajo ka transferuar për lobim 100 mijë dollarë tek një lobist që u mor me fushatën elektorale, dhe 25 mijë dollarë për fotografinë e Trumpit. Pjesa tjetër e parave ka lëvizur drejt lobistit, ose përmes dy aksionerëve rusë të ‘Biniatta Trade LP”, ose siç thotë Lulzim Basha, nga një fondacion shqipator- amerikanësh në SHBA drejt lobistit.

Në të gjitha variantet, këtu më së paku është subjekt i pastrimit të parave.

Njësoj ka shkelur dhe ligjet amerikane. Kur një kompani lobimi paguhet nga një kompani off shore për llogari të një partie politike, dhe del që kompania off shore ka pronarë rus, Uashingtoni përballet me përdorimin e një partie politike shqiptare për të infiltruar paratë ruse dhe ndikimin e Rusisë në Uashington. Këtu preket në thelb ligji i lobimit, i cili është bërë në vitet tridhjetë me kufizimet që të pengojë influencën e nazizmit në SHBA, pra që lobistët të mos përdoreshin nga nazistët.

Për infiltrimin rus në administratën e Trumpit, sot është në gjyq ish- këshilltari i Sigurisë, Flynn, shoku i ngushtë turk i Luzlim Bashës, Alptekin, dhe zyrtarë të tjerë të afërt të presidentit Trump.

Së dyti, për çdo amerikan që njeh mire ligjet e tij, në deklaratat e Bashës për këtë skandal shikon, ose një gënjeshtar të pacipë, ose një njeri shumë të paditur edhe për të gënjyer. Kur flet për 500 mijë dollarët, ai thotë që i ka siguruar nga një fondacion shqiptaro- amerikanësh jo fitimprurës, i cili ka kompesuar kompaninë off shore me kompesim. Por fondacionet në SHBA, janë institucione të çliruara nga taksat nëse ti i përdor donacionet për qëllime jofitimprurëse, që ke deklaruar. Ashtu si kompanitë shkojnë në off shore për të shpëtuar nga taksat e larta, ashtu një fondacion shpëton nga taksat kur veprimtaria e tij është jo fitimprurës. Tani përse ky fondacioni nuk e ka bërë direkt vetë pagesën, por i është dashur ta bëjë në emër të PD tek një off shore, siç e tregon Basha?

Gënjeshtrat që ai ka prodhuar duke tentuar të gënjejë disa muaj më parë, kur për këtë skandal shkruante vetëm një pjesë e shtypit në Tiranë, tani po i kthehen si shpagim.

Ndërkohë në Shqipëri, përveç përballjes me ligjin, ai duhet të përballet dhe me PD për këtë skandal, pasi përdorimi i shumave të tilla marramendëse, me vullnet personal, pa vendime kolegjiale, dhe për interesa tërësisht private të tij, tregojnë qartë se si e drejton partinë ky njeri, dhe përse e përdor atë. Është një histori që fyen në thelb PD-në, jo pse e nxjerr të financuar nga Rusia, por se dëshmon që kryetari formal i PD, përdor vulën dhe siglën e saj për të bërë operacione të papërgjegjshme financiare, të cilat rrezikojnë jo vetëm PD-në, por dhe sigurinë tonë kombëtare.

Lulzim  Basha është duke treguar historinë gabim, por mbi të gjitha duke reaguar gabim, me shpresë që ashtu siç ka bllokuar gjithë shtypin shqiptar të mos flas për këtë, të bllokojë dhe shtypin amerikan.

Por sot ai është në faqe të parë në “Neë York Times”, që Berisha e quan letër higjenike, po ashtu tek  “Zëri i Amerikës”, radioja zyrtare e qeverisë amerikane, si dhe dhjetra gazeta të tjera amerikane. Ai thjesht duhet të mos flasë më për këtë çështje, por të gjejë një avokat të mirë. Ai së paku mund ta shpëtojë nga telashet në SHBA.