.

Skandali me byzylykët elektronikë, Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet

Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë procedimin penal për skandalin e byzylykëve elektronikë. Prokurori Ndini Tavani ka vendosur pushimin e çështjes, pavarësisht se Ministrja e Drejtësisë kishte kërkuar rihapjen dhe çështja ishte rikthyer për hetim me vendim të gjykatës.
Ministria e Drejtësisë vuri në dispozicion të hetimit të gjitha aktet e nevojshme, por brenda 3 muajsh prokurori Ndini Tavani vendosi pushimin e hetimeve.

Burime nga Ministria e Drejtësisë bëjnë me dije për ‘BalkanWeb’ se ministrja Gjonaj do të vazhdoje rrugën ligjore për zbardhjen e çështjes dhe vënien para përgjegjësisë të autoreve.

Kujtojmë se Skandali i byzylykëve elektronikë me vlerë 2 milionë euro u zbulua në kohën e qeverisë teknike kur ministër i Drejtësisë ishte Gazmend Bardhi i PD. Ai zbuloi se 300 byzylykë për mbikëqyrje elektronike mungonin dhe kërkoi nisjen e hetimeve dhe procedimet për shërbimin e Provës.