.

Analiza – Po sikur mos të kapen porositësit e kokainës, a do vijojmë ta quajmë sukses aksionin e policisë?

Padyshim ngjarja më e bujshme e javës që lamë pas, ishte ajo e kapjes së 613 kg kokainë, në Portin e Durrësit. Siç e keni ndjekur vazhdimisht nga media, ngjarja është pasuar me debate të ndryshme, që nga akuzat e opozitës e deri tek përplasjet e deklaratave se e kujt ishte merita për kapjen e kokainës. Kemi Ministrin e Brendshëm i cili falenderoi edhe partnerët ndërkombëtarë, më pas Kryeministrin Rama i cili këmbëngul se aksionin e kemi bërë vetëm ne. Madje ai u mburr gjatë vizitës së tij në Sofje, duke thënë se atë që nuk e pikasi asnjë vend i BE-së, e kapi policia shqiptare! Më pas Ministria e Brendshme korrigjoi deklaratën e Xhafajt, duke thënë se drogën e kapëm vetëm ne shqiptarët. Presidenti Meta nga ana e tij falenderoi edhe partnerët ndërkombëtarë, kreu i antimafies italiane shkruajti në Twiter se aksioni për kapjen e drogës u bë vetëm nga shqiptarët dhe në fund kemi një deklaratë të Marinës kolumbiane e cila në faqen e saj zyrtare tregon se për drogën e nisur nga Kolumbia në Shqipëri, autoritetet shqiptare i lajmëruam ne, e përforcuar edhe nga deklarata e Ministrit të Mbrojtes së Kolumbisë.

Dhe pas gjithë kësaj rrëmuje deklaratash për të njëjtën çështje,ka dhe një rivalitet të brendshëm ku doganat kërkojnë të marrin meritat e tyre duke thënë se drogën në kontenier e pikasën ata dhe më pas lajmëruan policinë. Më lëmsh se kaq s’bëhet!

Megjithatë, për një gjë të gjithë biem dakord, fakti që u kap një sasi kaq e madhe droge, është një lajm i mirë për shqiptarët dhe një rreze shprese që më në fund diçka filloi të lëvizë.

Tani vjen faza tjetër, ajo e gjetjes së autorëve të kësaj ngjarjeje dhe padyshim nuk mund të jenë ata që janë vënë sot prapa hekurave. Historia e shoferit në burg, ngjan  pak a shumë me atë të fshatarit që kapej duke ujitur hashashin dhe burgosja e tij na shitej si sukses i policisë në luftën kund kanabisit, ndërkohë që bosat e parcelave nuk i ngacmonte njeri (përfshirë edhe njerëz nga rradhët e policisë).

Për ngjarjen e fundit të kapjes së sasisë së madhe të kokainës, thuhet se Prokuroria po punon intensivisht për të shkuar tek koka e trafikut. Për këtë arsye ajo ka sekuestruar disa celularë në vendngjarje për të parë se me kë është komunikuar, por ka edhe disa indicie të tjera të rëndësishme të cilat janë sekret hetimor.

Si në filmat triller, kapja e kokainës e ka bërë situatën akoma më të paqartë dhe më të mistershme, se sa kur thjesht flitej se ekzistojnë ngarkesa të tilla disa milionë dollarëshe dhe se shqiptarët tashmë shkojnë direkt në burim për ta blerë, që fitimi të jetë sa më i madh.

Nëse kërkon perceptimin e publikut për të kuptuar se si e mendojnë ata fundin e kësaj historie, vështirë se gjen ndonjërin që e sheh të mbyllur me happy and. Shumica kanë bindjen se kokat e trafikut janë në politikë, madje tek ata që sot kanë pushtetin dhe kontrollojnë gjithçka dhe iu duket pak e vështirë se si politika mund të ndëshkojë veten. Nga ana tjetër është Prokurorja e Përgjithshme, e cila megjithëse në publik na serviret si njeriu që punon ngushtë me SHBA, përsëri shumica e shohin si një zgjedhje nga maxhoranca dhe si e tillë ajo nuk mund të ndëshkojë ata që e zgjodhën. Dhe ndërkohë që ne presim të mësojmë gjysmën më të rëndësishme të kësaj historie dhe finalen e saj, ka disa pyetje që lindin natyrshëm: “Po sikur bosat e ngarkesës të mos kapen, çfarë do të ndodhë?” “A do na lindë më pas e drejta të dyshojmë se ky aksion paska qenë i detyruar nga ndërkombëtarët, pasi është pikasur prej tyre dhe më pas, ne kemi qenë të detyruar ta kapim, por aspak të detyruar që të dorëzojmë kokat e trafikut?” Shpresojmë që të mos ndodhë kështu.

Shënim i hapur.al