.

Plotfuqishmëria/ Çështja kthehet sërish në Ministrinë e Jashtme, Meta e pranon: Kërkova informacione shtesë

Presidenti Ilir Meta e pranon se ka kërkuar informacione shtesë sa i takon çështjes së negociatave me Greqinë. Pas letrës dërguar disa ditë më parë kryeministrit Rama dhe ministrit Bushati, ku kërkonte informacione mbi delegatët dhe detaje mbi dokumentet ku do bazoheshin negociatat, duket se Kreu i Shtetit ka kërkuar të dhëna shtesë.

Në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, Presidenti Meta tha se është më rëndësi që çështja të jetë plotësisht e qartë në mënyrë që të mos lihen hapësira të tilla, që mund të çojnë ndonjë grupim të caktuar në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar rrëzimin e kësaj marrëveshje të re.

PJESE NGA INTERVISTA
A do japë Presidenti Plotfuqishmërinë e tij për negociatat?
Kjo çështje ka marrë shumë vëmendje. Presidenti duhet të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e tij kushtetuese dhe institucionale për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshje që synohet dhe të marrëdhënieve me Greqinë.

A është e vërtetë që e keni kthyer procesin sërish në Ministrinë e Jashtme për më shumë informacion?
Nuk ka patur në asnjë rast kthim apo refuzim për dhënie autorizim të tillë, por ka patur deri në pikën e plotë dhe përfundimtare sipas të gjitha standardeve që përcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuese, një procedure e cila duhet të jetë sa më e saktë. Edhe për një arsye tjetër, është se çështja më e debatuar në ditët e fundit për shkak të asaj që ndodhi në vitin 2009 dhe vendimin e Kushtetueses në 2010 që e rrëzoi atë marrëveshje. Për këtë çështje, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, është vetë Kushtetuta, prevalon mbi çdo ligj dhe akt tjetër. Do të mjaftonte një mosrespektim i dokumenteve kushtetuese, në mënyrë që nesër, një grupim të bëjë të njëjtën gjë, të ankohet në gjykatën Kushtetuese, për ta shpallur marrëveshjen e re antikushtetuese.

Pra keni kërkuar informacione të tjera përveç informacioneve të para?
Po, kemi kërkuar informacione. Jo vetëm që është detyra ime të respekton kushtetutën, dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por se dyti duhet të kemi parasysh se edhe një element formal i kësaj gjykate që është vetëm për marrëveshjen me Greqinë, do të mjaftonte që edhe sikur të ishte një përmbajtje shumë e mirë, me kërkesën e një grupimi në Kushtetuese, kjo marrëveshje e re do të kërkohej të rrëzohej. Është me rëndësi që të ecet vetëm në shina kushtetuese, pasi vetëm një proces që përmbyllet me sukses i intereson të dy vendeve.