.

Akuzat për aferën 20 milionë euro, Dervishi: Racizëm ndaj meje, më sulmojnë se jam shqiptar

Dritan Dervishi ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga Mikele Krishitelo. Ish-drejtori i Partizanit dhe i Kukësit e ka cilësuar një sulm racist atë të gazetarit italian, duke thënë se ky sulm, sipas tij, vjen pas përplasjeve që Krishitelo ka pasur me presidentin e Veronës. “E kam hedhur në gjyq dhe do kërkoj dëmshpërblim për këtë sulm të tij”, ka thënë Dervishi për “Panorama Sport”.

Luka-toni-dervishi

Ai nuk e ka mohuar se ka vënë firmën e tij në bilancin financiar të Veronës në dy vitet e fundit, por e cilëson këtë më se normale, pasi ai është në bordin drejtues të klubit.

Dervishi, si qëndron e vërteta e investimit 20 milionë euro te Verona?

Ky është një sulm i pastër ndaj klubit dhe, në mënyrë të veçantë, kundër meje. Ka disa që nuk e honepsin dot faktin që një shqiptar ka këtë pozicion dhe, më pas, nisin shpifje të tilla banale.

A keni lidhje ju me ndonjë kompani në Luksemburg?

Unë jam në Itali dhe jo në Luksemburg. Ky është sulm i pastër edhe ndaj presidentit të Veronës. Ja këpusin kot…

Pse mendoni se Krishitelo po ju sulmon ju dhe Veronën?

Sepse presidenti i Veronës, Seti, është zënë me mikun e ngushtë të këtij Krishitelos. Tani më sulmon mua, por nuk e kuptoj se ç’të keqe ka të jesh miku i besuar i presidentit. Edhe Igli (Tare) në fillim ka qenë miku i besuar i presidentit.

dritan dervishi

Sa vite keni te Verona?

Kam gjashtë vite. Unë e kuptoj që këtu është xhungël dhe sulmohem si shqiptar, por ky zotëria që unë kam çuar në gjyq do të më paguajë paratë për dëmin që më ka bërë. Kam familje, kam një emër që e kam ndërtuar me punë. E kam babanë 80 vjeç dhe kur ka parë lajmet e ka përjetuar keq. Ndërkohë që janë vetëm shpifje dhe sulme.

Pra, sipas jush, ky është një sulm personal dhe nuk ka lidhje me kompaninë që po investon te Verona?

Sulmohem vetëm se jam shqiptar. Këta nuk e durojnë dot që unë të jem shef te Verona. E përsëris: më akuzojnë për mashtrim, ndërkohë që unë punoj në Itali dhe jo në Luksemburg. Këta mendojnë se unë jam klandestin këtu, por jo, në fakt jam italian. Jam krenar edhe për vendin tim Shqipërinë. Më vjen keq që ndonjë media në Shqipëri, sapo sheh se ka folur Krishitelo, e marrin çdo gjë si të mirëqenë, a thua se ai është Zoti. Ne jemi shqiptarë që na sulmojnë në një vend të huaj dhe ndërkohë në vendin tonë nuk ngurrojnë ta na nxjerrin menjëherë mashtrues. Por nuk është kështu dhe unë do të triumfoj në gjyq.

JETMIR HALILAJ