.

Kushta: UEFA e korruptuar, bën shembull Skënderbeun. Kupa e Flamurtarit

Sokol Kushta mendon se Skënderbeu po bëhet shembull për t’u goditur nga një organizatë e korruptuar. Në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport”, Kushta tha se është e vërtetë që në Europë ka shitjeblerje ndeshjesh, por ky vendim nuk jepet vetëm për Skënderbeun, pasi të gjitha ekipet e Superiores, sipas legjendës, janë të përfshira.

Për ish-futbollistin e shquar, as FSHF dhe as Prokuroria nuk kanë ndikuar në minimizimin e këtij fenomeni. Kushta thotë se Flamurtari nuk duhet të shikojë se çfarë do të ndodhë me Skënderbeun, por të vijojë rrugën e fitoreve. Ecurinë e kuqezinjve, Kushta e cilëson pozitive, por kërkon më shumë spektakël dhe gola.

sokol kushta

Kushta, cili është komenti juaj për ngjarjet më të fundit, ku Skënderbeu rrezikon përjashtimin me 10 vjet?

Për sa i përket fenomenit “Skënderbeu”, ne duhet të shikojmë më gjerë. Ne jemi më- suar t’i nxjerrim sytë njëri-tjetrit dhe nuk është hera e parë. Unë shikoj që Skënderbeu po bëhet shembull për t’u goditur nga një organizatë e korruptuar. Është e vërtetë që kaq vjet ka shitje ndeshjesh në Europë dhe Shqipëri. Por ky dënim nuk është dhënë vetëm për Skënderbeun.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Këtu unë e kam thënë që, po të kishte drejtësi, nuk do të kishte Ligë Superiore, pasi të gjitha ekipet janë të përfshira. Por, as Federata dhe as Prokuroria nuk kanë vepruar në kohë për minimizim e fenomenit.

Sa mundësi ka Flamurtari pas dënimit të Skënderbeut?

Flamurtari nuk duhet të ecë me mendjen se çfarë bën Skënderbeu. Ekipi ynë duhet të vazhdojë rrugën e fitoreve.

sinan idrizi sokol kushta

Si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të Flamurtarit?

Flamurtari po ecën brenda objektivave. Mendoj se është pozitive si paraqitje. Por unë doja të shikoja më shumë lojë, spektakël dhe gola. Flamurtari i ka të gjitha mundësitë të ikë nga loja pa emocion. Ekipi duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i jepen dhe jo si me Partizanin që e futi në diskutim lojën kur kishte mundësinë të bënte shumë gola, por u tërhoq. Ose me Lushnjën kishte mundësinë ta zgjidhte shpejt lojën me mbi dy gola që ekipi të jetë më i lirshëm.

Sa i ka mundësitë Flamurtari të fitojë Kupën e Shqipërisë?

Flamurtari i ka të gjitha mundësitë për Kupën e Shqipërisë, pasi arritjet dhe forma që ka, japin garanci. Them se është në një rrugë të mirë për të arritur objektivat që ka.

Mendoni se janë përshtatur siç duhet blerjet e reja të janarit?

Për blerjet e reja nuk kam ndonjë koment specifik. Them se ka kohë akoma që të shikohen dhe për këtë duhet që të flasim në një moment tjetër.

ERMAL SIKA