.

Djegia e makinës së ish-kryetarit të PD në Tepelenë, reagon selia blu: Policia të arrestojë…

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me djegien e makinës së këshilltarit të saj në Këshillin Bashkiak të Tepelenës, që dyshohet se ka qenë një ngjarje e qëllimshme. Përmes një reagimi publik, PD dënoi aktin në fjalë, ndërsa i bëri thirrje policisë që të zbardhë ngjarjen ku u përfshi zyrtari Xhafer Meçe.
REAGIMI I PD
Partia Demokratike dënon me forcë aktin kriminal të zjarrvënës së qëllimshme të automjetit personal të këshilltarit të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tepelenës, z. Xhafer Meçe.

Ne i bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të arrestojnë e vendosin para ligjit autorët dhe porositësit e këtij akti të shëmtuar kriminal.

Partia Demokratike shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për këshilltarin tonë në Bashkinë e Tepelenës z. Xhafer Meçe dhe familjarët e tij.

NGJARJA
Ngjarja në fjalë ndodhi gjatë natës së të mërkurës, rreth orës 02:00. Makina e avokatit Xhafer Meçe, anëtar i PD në këshillin bashkiak të Tepelenës ndodhej e parkuar poshtë banesës së tij.
Thuhet se fillimisht autorët kanë thyer xhamin e mjetit, dhe më pas i kanë vënë flakën. Meçe ngre dyshime se zjarrvënia ka ndodhur për shkak të detyrës së tij si avokat.