.

Shënim/ Saga e arrestimeve politike dhe kultura e pandëshkueshmërisë në 27 vjet

Ka pak emra të politikës shqiptarë që nuk janë akuzuar të paktën një herë për korrupsion. Shumë më pak prej tyre që janë përballur me qelinë. Proceset e hetimi ndaj politikanëve disa herë kanë nisur, por siç janë hapur me bujë, janë mbyllur pa fabul të gjatë. Thuajse të gjithë kanë përfunduar me akuzën e lehtë shpërdorim detyre, duke shmangur hekurat e burgut për politikën e 27 viteve. Ndërkohë korrupsioni ka pësuar veçse rritje.

Kështu nisi qysh në vitet e para të pluralizimit kur për ironi, udhëheqsit e diktaturës u dënuan për kondrabandë kafeje. Ishte vitit 1993, kur qeveria e re e PD-së, arrestoi disa ish-anëtarë të Byrosë Politike. Ata u akuzuan për shpërdorim detyre, ndërkohë që kishin drejtuar sistemin më gjakatar, duke lënë pas mijëra viktima të pafajshmë gjatë regjimit komunist.

Në vitin 1993 prokuroria arrestoi ish-kryeministrin Vilson Ahmeti, lidhur me skandalin,“Arsidi”. Ahmeti qëndroi dy vite në burg dhe në vitin 1995, fitoi pafajësinë.

Gjatë qeverisë së parë të dëmokratëve, spikat edhe ndalimi i ish-liderit të opozitës Fatos Nano, në qershor të vitit 1993 me akuzën “abuzim në detyrën e kryeministrit me pasojë përfitim për të tretët”. Nano u dënua me 12 vjet heqje lirie, por u lirua në mars të vitit 1997, si pasojë e amnistisë. Në vitin 1994, historia vazhdon me arrestimin e deputetit të atëhershëm të PD-së, Arben Lika, i cili akuzohej për korrupsion. Gjatë qeverisjes së parë ët PD-së u hapën disa çështje korrupsioni si ajo e drurit të arrës,  por procesi nuk avancoi. Ish-ministrat e akuzuar për këtë çështje nuk u dorëzuan nga parlamenti, I cili refuzoi kërkesëne  prokurorisë për heqjen e imunitetit të tyre.

Ish-ministri i Brendshëm demokrat në vitin 1997, Halit Shamata bashkë me pesë zyrtarë të tjerë ndër të cilët edhe Safet Zhulali, ish-ministër i Mbrojtjes, u arrestuan në vitin 1998 në kohën e qeverisjes së Nanos dhe u akuzuan për krime kundër njerëzimit, lidhur me ngjarjet e vitit 1997. Ata qëndruan pak ditë në burg dhe u liruan pasi u konsideruan arrestime politike. Gjatë qeverisjes së Metës, ish-lideri i opozitës Sali Berisha, u ndalua për një natë të vetme, pasi refuzoi të paraqitej si dëshmitar në prokurori.

Berisha dhe PD erdhën në pushtet në vitin 2005 me premtimin e qeverisjes me duar të pastra. Për tetë vite në opozitë, kishin lëshuar akuza të shumta për korrupsion, ndaj kryeministrit Nano dhe ministrave të tij. Berisha kishte premtuar se me të ardhur në pushtet, ata do të përballeshin me ligjin.

Nuk ndodhi për tetë vitet e qeverisë Berisha. Historia u përsërit me Ramën, i cili akuzoi qindra herë Berishën dhe ministrat e tij për korrupsion dhe u përbetua qindar herë se do të përballeshin me drejtësinë.

Kanë kaluar pesë vite dhe askush nuk është në burg. Në mesin e mandatit të parë të Ramës, çështja e Mark Frrokut e Tom Doshit, u duk se tronditi mazhorancën. Dy deputetët e mazhorancës u arrestuan të akuzuar për kallëzim të rremë. Mark Frroku vazhdon të jetë në burg, i akuzuar për fshehje të pasurisë, ndërsa Tom Doshi është liruar. Një ndër arrestimet e rëndësishme gjatë mandatit të Ramës është edhe ai i ish-ministrit të Berishës, Spiro Ksera. Ai u akzua për korrupsion dhe u dënua me dy vite e 6 muaj burg.  Përfitoi nga disa ulje dhe sot është i lirë.

Një vit më parë, u arrestua ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika i akuzuar për  “falsifikimit të dokumentave”, “shpërdorimit të detyrës”, ndërtimit të paligjshëm”.  Dy ditë pas arrestimit, ai u la në gjendje të lirë me masën masën detyrim paraqitjeje. Ndërkohë, Armando Prenga, ish-deputet i Partisë Socilaiste u arrestua në vitin 2015, pas një konflikti me armë me disa qytetarë. Pak muaj më pas ai u lirua pasi u konsiderua i parrezikshëm

Dhjetra skandale korrupsioni e kanë tronditur herë pas here mazhorancën e Edi Ramës. Shqipëria u mbulua me kanabis gjatë qeverisë së tij,  por nuk ka ende asnjë arrestim. Rama vazhdon të justifikohet me reformën në drejtësi. Por askush nuk duket aq i trembur nga kjo reformë ndaj dhe nuk dihet në se do të dëgjojmë shpejt të artikulohet në gojë ministrash apo ish ministrash shprehjen: “Unë po shkoj në burg”.

Luljeta Progni, Kryeredaktore “Studio e Hapur”