.

Pergjigje për Lelën që nuk e zë gjumi për opozitën

Nga Eni Vasili

Kolegu Alfred Lela, në një shkrim të gjatë e të gjerë, ankohej për shumëçka. Së pari për faktin që unë shkruaj rrallë, së dyti se kam sulmuar Fevzon, së treti se nuk dihet nëse Koli do e importojë teleshikuesin e tij në Vizion dhe në fund, se ne “grate” e ekranit imitojmë Fevzon në anti opozitarizmin e tij, ndaj nuk kemi patur shikueshmërinë e burrave!!

Që kolegu im të flejë rehat siç e siguroj, bëj edhe unë, kam veç dy gjëra shkurt për t’i thënë.

Vetëm në sezonin e fundit, Lulzim Basha ka qenë i ftuar në “Studio e hapur” plot 4  herë dhe i janë venë në dispozicion orë të gjata transmetimesh live në 15 emisione, gjatë kohës së çadrës.

 

Vetëm në sezonin e fundit, emisioni “Studio e hapur”, jo vetëm ka përqafuar kauzat e opozitës, por i ka shtyrë ato përpara me denoncime konkrete, veçoj këtu denoncimin me bimën e kanabisit live në studio apo inskenimin po live në studio, të një prej fabulave të protestave të  opozitës “Ali baba me 40 hajdutë”, pa numëruar debate e emisione pa fund për korrupsionin, kanabizimin, dekriminalizimin etj.

 

Nëse kjo është të bësh anti opozitarizëm, Lela është i ftuar të na shpjegojë qysh bëhet më mirë kjo punë dhe do ta dëgjojmë siç e kemi dëgjuar, madje edhe paguar, të flasë në “Studio e hapur” çfarë ka dashur e si ka dashur, si për Ramen, Berishën ashtu edhe për Bashën.

 

Së dyti, ne “gratë e emisioneve politike” i kemi sfiduar burrat sa herë ca si ata, nuk na kanë penguar ta bëjmë .

Kolegia Xhunga për vite me rradhë e ka konkurruar denjësisht Fevziun të enjteve, derisa një burrë mendoi se burri konkurrohet me burrë siç gozhda del me gozhdë, por të famshme janë emisionet e saj me supershikueshmëri, kur e nisi “Shqip”-in në puntatën e parë me Berishën në Top Channel apo me debatin  Rama –Lubonja. Po ndoshta Fredi nuk i di këto detaje se askohe punonte në Pier 4 dhe gazetarinë e kish futur në sirtar.

 

Në fund dua t’i them kolegut Lela se opozita është po ashtu pushtet dhe nuk është e vështirë të të joshë dhe kjo e fundit. Të jesh pranë kryeministrit apo kandidatit për kryeministër, është e njëjta gjë.

Sa për mua, nëse më gjen një kapital të marrë nga pushteti i sotëm apo i çdo pushteti në 20 vitet e fundit, jam gati t’ja dhuroj portalit tënd opozitar i cili ka zënë vend në një nga kullat më të shtrenjta të biznesit në zemër të kryeqytetit. Portali im, bashkë me anti opozitarizmin tim, mezi arrijnë t’i lejojnë vetes ca zyra në periferi Tiranës. Kurioze jam, si e paguan qiranë në një kullë ku kane zyrat njerezit me te pasur, një portal i pajoshur?