.

Shkarkohet avokati i shtetit pasi ‘neglizhoi’ gjyqin për 1 milion metra katrorë tokë të tjetërsuar

Avokatura e Shtetit zbuloi pas një inspektimi që nisi vetëm pas shqetësimeve të ngritura nga BIRN, se dosja për rifitimin e afro 1 milionë metrave katrorë tokë të tjetërsuar në mënyrë të paligjshme në bregdetin e Kavajës ishte ‘harruar’ nga avokati Kadri Skera – i cili u shkarkua nga detyra, ndërkohë avokatura u ankua se pamundësia për të mbeldhur dokumentacionin dhe mungesa e fondeve ia bënin të vështirë punën për rifitimin e pronave publike.

Autor: Elton Qyno  BIRN  Tiranë

Gjiri i Durrësit. Foto:Ivana Dervishi

Një hetim i Prokurorisë së Kavajës i cili filloi në vitin 2014,  gjeti mbi 100 tituj pronësie të regjistruara në kundërshtim me ligjin në zonat bregdetare të Spillesë, Gosës, Vilë Bashtovës, Karpenit, Kryemëdhenjt dhe Golemit.

Hetimet e prokurorisë zbuluan atëherë rreth 98 hektarë të falsifikuara dhe të trasferuara nga prona publike në prona private. Pesë persona ndër të tjerë edhe ish-kryetarin e Komunës Gosë Sinan Shala u arrestuan dhe katër prej tyre u dënuan nga Gjykata e Kavajës.

Por ndërsa procesi penal përfundoi, avokatura e shtetit nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të rifituar pronësinë e parcelave të tjetërsuara.

BIRN mësoi se prej 18 majit 2016, Prokuroria e Kavajës i ishte drejtuar me një shkresë zyrtare Avokatit të Shtetit duke i kërkuar të bëhej pjesë e gjyqit për  të rifituar pronat publike.

Megjithëse më shumë se 1 vit ka kaluar nga njoftimi i Prokurorisë së Kavajës, Avokatura e Shtetit nuk ka marrë asnjë hap ligjor për të rifituar pronat e tjetërsuara në mënyrë të paligjshme.

Vëtëm pas interesimit të BIRN, zyra e Avokatit të Shtetit u vu në lëvizje dhe gjeti pas një inspektimi të urdhëruar nga drejtuesja e institucionit Alma Hicka, se dosja pasi ishte sigluar ishte harruar. Një javë më pas Hicka njoftoi se kishte shkarkuar avokatin e shtetit Kadri Skera, të cilin inspektimi e gjen me faj se “nuk ka kryer asnjë veprim ligjor nga momenti i siglimit të praktikës dhe në vazhdim”.

Por harresa e dosjeve në zyra është vetëm një prej problemeve në praktikat që avokatura e shtetit duhet të ndjekë për të fituar pas pasurinë publike të tjetërsuar.

Hicka pranoi BIRN se mjaft praktika, për të rimarrë pronën publike hasnin vështirësi të plotësoheshin dhe shpesh ata kishin probleme të gjenin deri adresën e personit të paditur, ndërsa shtoi edhe se institucionit që drejtonte i mungonin fondet për të paguar ekspertizat që duheshin në gjykatë.

Të njëjtat probleme ka edhe zyra e Prefektit të Tiranës, e cila po ashtu ka ndjekur disa çështje të kthimit pas të pronave në zonën që ajo mbulon. Juristi i prefekturës së Tiranës Arbër Myftari i tha BIRN se rreth 60 praktika prej gati 80 [nuk ka një numër të saktë dosjesh] që ata kishin nisur ishin kthyer pas për shkak të mungesës në dokumentacion dhe se në disa raste i padituri ishte i vdekur.

Qoftë për prefekturën, qoftë për Avokaturën e Shtetit problem është paisja me dokumente nga zyra të tjera shtetërore, që ata thonë se neglizhojnë apo vonojnë plotësimin e dosjeve.

Ndërkohë sasia e sipërfaqës së tjetërsuar vijon të rritet. Në muajin nëntor 2017 një hetim tjetër i Prokurorisë së Kavajës, gjeti se ishin tjetërsuar dhe 36 hektarë tokë në bregdetin e Kavajës, një pjesë e mirë e të cilave kishte shkuar për një rreth të ngushtë individësh me pushtet,

Prokuroria lëshoi 11 “urdhër-arreste” dhe një “arrest shtëpie” për personat të cilët akuzohet se qëndrojnë pas falsifikimeve. Në pranga përfunduan Fatos Kaja, ish-zyrtar i njësisë administrative Kryevidh që deri në maj 2017 mbante postin e nënprefektit të Tiranës si dhe dy ish-zyrtarët e së njëjtës komunë, Behgjet Pjeci dhe Dashnor Çullhaj, drejtori i ALUIZNI Kavajë, Altin Çoba dhe ish-shefi i Kadastrës, Nezir Leçini, Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë, Andi Gjeçi, jurist, ZVRPP, Kavajë, Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë, Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë,  Enver Duqi, ish-drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës,  Kavajë dhe Seid Cikaleshi, ish drejtues i Hipotekës së Kavajës.

Ndërkohë çështje të ngjashme ka në Vlorë ku falsifikimet kanë prekur edhe gadishullin e Karaburunit dhe po ashtu edhe në zona të tjera të vendit.

Dosja e harruar

Avokatja e Shtetit Alma Hicka duke dëshmuar përpara komisionit hetimor parlamentar për çështjen CEZ | Foto nga : LSA

Në një shkresë të sajën të firmosur nga drejtuesi i Prokurorisë së Kavajës Artan Madani, prokuroria kishte njoftuar në maj të vitit 2016 Avokatin e Shtetit për fillimin e gjyqit ndaj pesë të akuzuarve për tjetërsim të pronave publike dhe i kujtonte që duhej të paraqitej në gjyq në krah të prokurorisë.  “Avokatura bashkërendon punën me prokurorinë për mbrojtjen, në gjykim, të interesave të shtetit për çështjet civile, zgjidhja e të cilave bëhet gjatë një procesi penal”, thuhej në shkresë.

Por ndërsa gjyqi penal mbaroi dhe prokuroria hapi dosje të reja pronash të tjetërsuara në të njëjtën zonë, Avokatura e Shtetit nuk kishte ndërmarë asnjë proces gjyqësor në Gjykatën e Kavajës dhe as u bë palë me prokurorinë në procesin penal, për të kërkuar pronën shtetërore të vjedhur nga privatët me dokumenta të falsifikuara.

E pyetur fillimisht nga BIRN rreth dosjes Avokati i Përgjithshëm i Shtetit Alma Hicka, tha se nuk kishte informacion dhe kërkoi kohë për të kthyer përgjigje në ditët në vijim. Disa ditë më vonë Hicka njoftoi përmes një shkrese se kishte urdhëruar nisjen e një inspektimi.

Ndërkohë BIRN mësoi se ishte urdhëruar shkarkimi i Avokatit të Shtetit Kadri Skera. Sipas shkresës Skera nuk kishte kryer asnjë nga funksionet që i ngarkonte ligji në këtë rast, përveçse  kishte marrë dosjen e sigluar.

“Skera nga momenti që u informua me kërkesën e dërgimit në gjyq të çështjes penale, duhet të kishte hartuar padinë civile në procesin penal, për shkak se me pronën e përvetësuar nga të pandehurit në kundërshtim me ligjin, janë cënuar rënde interesat pasuror të shtetit, pasi sipërfaqja e përfituar në kundërshtim me ligjin është 985.900 m2”, thuhet në një pjesë të shkresës së inspektimit.

Të vdekurit bëhen problem

Peizazhi i rrugës së fshatit Karpen nga ku duket qyteti i Kavajës.

E pyetur për rastet e tjera Hicka i tha BIRN se nga Avokatura e Shtetit, ishin hartuar dhe ndjekur 79 padi, në lidhje me kërkimin e pronës shtetërore, pasi është vërtetuar që kjo pronë është tjetërsuar me dokumenta të falsifikuara. Por ajo pranoi se edhe në këto raste për ta ekzistonin disa vështirësi, në lidhje me plotësimin e dokumentacionit shkresor, duke theksuar se institucioni kishte edhe mungesë fondesh.

“Një tjetër vështirësi është dhe marrja e provës me ekspert për shkak të pamundësisë së pagesës aktit të ekspertimit, i cili është i domosdoshëm për vazhdimin e gjykimit”, tha Hicka.

Ndërkohë në Prefekturën e Qarkut Tiranë na thonë se ata kanë mundur të fitojnë disa prej gjyqeve, por shumë pak krahasuar me numrin e padive që ata kanë bërë.

Juristi i prefekturës së Tiranës Arbër Myftari i tha BIRN se institucioni ku ai shërben, ka depozituar rreth 80 padi civile vetëm në gjykatën e Kavajës, në të cilat ka kërkuar pavleshmërinë e AMTP-ve (Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi), të konsideruara të paligjshme, prej nga shumë individë përfshi persona me pushtet kanë përfituar tokë në bregdet.

Por prej këtyre padive gjykata ka marrë vendim vetëm për rreth 20 raste, pasi shumë raste paditë kthehen pas për mungesë dokumentacioni ose sepse përfituesit kanë vdekur.

“Në disa raste të kthyera nga gjykata, arsyet kanë qënë se ne kemi paditur njerëz që kanë ndërruar jetë dhe s’mund të bësh gjyq me një të vdekur, pavarësisht se ai ka përfituar në mënyrë kriminale sipërfaqe tokë në bregdet,”-thotë Myftari.

Ai thekson se shumë nga problemet lindin nga mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe mungesa e seriozitetit të këtyre institucioneve për çështjen e tjetërsimit të pronave shtetërore në bregdetin e Kavajës.

Të vdekurit rezultojnë problem edhe për Avokatin e Shtetit. “Ekzistojnë disa vështirësi, në lidhje me plotësimin e dokumentacionit shkresor, që duhet të paraqitet në gjykatë, që kanë të bëjnë me: çeljen e dëshmive të trashëgimisë së personave të vdekur pasi në shumicat e padive të ngritura duhet të ndërtojmë pemën gjenealogjike të personave të vdekur që në vitet 1934, 1940”, tha Hicka.

Të dy institucionet ndërkohë ankohen edhe për mungesë të bashkëpunimit me zyra të tjera të shtetit dhe zvarritjet e seancave gjyqësore.