.

Eni Vasili: Pse nuk konkurroj me telenovela turke dhe tre arsye pse publiku duhet të zgjedhë “Studio e hapur”

Gazetarja dhe moderatorja e njohur e programit politik “Studio e hapur” Eni Vasili, ka guxuar të vendosë gishtin në plagë, duke na treguar se cilat janë problemet e mëdha që ka sot gazetaria jonë në raport me të vërtetën dhe si deformohet kjo e vërtetë në funksion të favoreve dhe interesave personale. Ndërkohë që “Studio e hapur” do të jetë edhe të enjteve, Vasili na rrëfen në këtë intervistë për “Panorama plus” se si ndjehet përballë konkurrencës dhe çfarë janë gazetarët gjobvënës.

Një editorial të dy ditëve më parë ku ju flisni për fenomenin e korrupsionit në gazetari, u sulmua nga disa kolegë tuaj duke e quajtur mungesë etike dhe sulme personale, ndërkohë për të njëjtin fenomen foli edhe Fevziu, por për atë nuk u tha e njëjta gjë. Si mendoni, pse iu dogji kur e thatë ju?
Nuk e kam lexuar këtë që po thoni, por nuk çuditem. Njihen tashmë aleancat mes burrave në profesionin tonë, prandaj dhe ka kaq pak femra në programet politike. Por mua nuk më impresionojnë fare, vazhdoj punën time dhe kujdesem vetëm për profesionalizmin, jo për klanet e këtij lloji.
Fevziu, i pyetur nga “Panorama plus” nëse i trembet konkurrencës së të enjtës, u shpreh se e vetmja konkurrencë që ka, është një telenovelë turke në Klan plus. E keni edhe ju problem këtë telenovelën tani që do jeni të enjten?
“Studio e hapur” është një program që konkurron mbi të gjitha me veteveten duke qëndruar fanatike e misionit të gazetarit. Gjithçka tjetër është telenovelë turke që vazhdon prej 20 vitesh. Kurbat e paguara të audiencës që vendosen nëpër tavolina kafenesh apo portale të ndryshme, nuk më shqetësojnë apo kompleksojnë.
Së fundi, na jepni vetëm tre arsye pse njerëzit duhet të zgjedhin të enjten e Eni Vasilit?
Paanësi, vertetësi dhe shërbim i sinqertë e profesional ndaj të mirës së përbashkët.