.

“Nuk kërkon Blushi popull tjetër por votuesit e tij atdhe tjetër”

hila

Nga Dritan Hila

Dorëheqja e Ben Blushit nga LIBRA ishte atipike, ashtu si edhe sjellja e tij. Në kohën kur të gjithë mendonin se si çdo autokrat i vogël kishte bërë kasollen e tij ku do mbretëronte, iku, Për t’ju kthyer, mesaduket, fushës së tij, ku është kampion i shumë sezoneve: gazetarisë.
Ky ishte edhe rasti që shumë ju kthyen analizës së vonuar pse humbi. Disa ia vunë fajin ftohtësisë së tij si individ.
Kjo nuk qëndron, për faktin se Edi Rama është njeriu më sociopat në historinë jo vetëm shqiptare, por kjo nuk e ka penguar të fitojë disa herë. Politika nuk ka të bëjë me faktin sa i shkueshëm je në muhabet.
Një pjesë tjetër ia lenë fajin mospasjes së eksperiencës së organizimit të fushatave. As kjo nuk qëndron. Blushi është politikan që ka disa eksperienca fushatash të përgjithëshme dhe lokale. Argument tjetër i analizës e lidh humbjen e tij me autoritarizmin brenda partisë. Kjo mund të qëndrojë por për periudhën postzgjedhore.
Ndërsa të tjerë me mungesën e besimit që kishte në elektorat si njeri që i le kauzat në mes. Edhe kjo nuk qëndron pasi Blushi e nisi një kauzë, por e lanë në rrugë ata që i thoshin “hë Blush hidhu, apo s’ta mban”.
Nuk ka lidhje as shfaqja e ambicies së tij si ambicie e sëmurë për të mposhtur Ramën. Nëse ka patur dikë që kishte frikë shokun në raportin Rama-Blushi, ky ishte Rama i cili ia kishte zili talentin si shkrimtar, por edhe lidhjen me të majtën. Pasi sado aristokratik që ka qenë Blushi në qasjen e tij, ai ishte pjesë organike e socialistëve shqiptarë dhe jo si Rama që ishte mish i huaj.
Nëse ka një argument serioz në rafshin teorik që shpjegon humbjen e Blushit, lidhet me eklektizmin e tij ideologjik në ditët e fushatës.
U tentua që të mblidhte nën siglën e tij gjithë të pakënaqurit, duke anashkaluar faktin se një forcë politike në embrionet e saj duhet të tregojë përkatësi dhe identitet .
Sa i takon anës organizative, LIBRA nuk pati shumë kohë që të organizohej dhe hidhte rrënjë në terren. Makina e propagandës e Ramës i mëshoi fort krijimit të idesë që ky ishte një eksperiment i Blushit.
Ndërkohë pushteti më i kriminalizuar i vendit i krijoi skena me të liruar nga burgu për të krijuar idenë që të gjithë janë njësoj.
Por përveç kësaj, ajo që ndikoi në mospërfaqësimin e LIBRA në parlament, ishte urdhëri që në numërimin e votave të vidheshin votat e PDIU dhe LIBRA. Dëshira e Ramës ishte i prerë: ‘Nuk i dua Blushin dhe Idrizin në parlament”. Si rrjedhojë sot kemi një tërheqje frontale të pushtetit në mardhëniet me Greqinë dhe një parlament vuvësh uniformë.
Sa i takon LIBRA, ajo na vërtetoi sesa e vështirë është të çahet sistemi i ngritur nga dy partitë e mëdha dhe dalja e alternativave të reja. Nëse nuk ia doli të çante një parti e cila përfaqësonte shtresën e elaboruar të vendit dhe e përfaqësuar nga dy personalitete publike si Blushi dhe Hafizi, kuptohet sa rrugë e gjatë do t’i duhet emancipimit të vendit. Por rasti i saj tregoi edhe korruptimin e medias e cila demonizoi këto dy figura si karrieristë apo si hajdutë që nuk i kishin lënë të vidhnin. Në të vërtetë nëse shoqëria nuk voton njerëz që janë marrë me politikë, kë duhet të votojë, ndonjë refugjat sirian që e nxjerr gomonia në Sarandë?!
Së fundmi ne ishim dëshmitarë të imoblitetit politik të elektoratit shqiptar; gjykimit parapolitik të tij; mentalitetit tribal të klasës drejtuese, por mbi të gjitha të produktit të paktë që kanë dhënë 27 vjet liri. Vetëm 50 mijë shqiptarë guxuan të mos rreshtoheshin në llogore (të dhënat nga dy partitë e mëdha janë që kaq u votua LIBRA). Shumë pak për një çerek shekulli. E me siguri këta janë edhe më të zhgënjyerit. Janë ata që po kërkojnë një atdhe tjetër./dritare.net