.

“Si u braktis nga Qeveria e opozita 550 vjetori i Skënderbeut në Lezhë, shfaqje e bastardimit që…”

PREÇ ZOGAJ

Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut” kërkonte të kishte si një moment nga më kulmoret, në mos më kulmorin, pikërisht datën e vdekjes së Heroit Kombëtar, 17 janarin, datë e cila është edhe arsyeja pse 2018 është shpallur viti i tij. Pardje në Lezhë pritej e veçanta, e madhja. Në mos më 17, kur? Në mos në Lezhë ku Gjergj Kastrioti dha shpirt, ku? A mund të imagjinohet Viti i Garibaldit në Itali dhe Kaprera, vendi ku heroi kombëtar i Italisë vdiq dhe u varros, të mos jetë në qendër të aktiviteteve?

zogaj

A mund të imagjinohet viti botëror i nënë Terezës pa Kalkutën e Indisë ku ajo është varrosur? Lezhës i takonte dhe i takon të jetë kryeqyteti i përkujtimit, edhe sikur prijësi i madh arbëror thjesht të kishte qëlluar aty kur hoqi frymën e fundit. Por Gjergj Kastrioti edhe u varros në Lezhë, kur mund të varrosej në një qytet tjetër po të kishte dashur ta linte me fjalë. Pra, e zgjodhi vetë, e bëri vetë Lezhën qytetin e tij të pushimit të pasosur, u birësua në të për së vdekuri.

Ky fakt i rrumbullakos kreditet e Lezhës për të qenë një qytet i Skënderbeut me titull të plotë. Por çfarë ishte 17 janari i pardjeshëm në Lezhë? Hierarkia e Klerit Katolik Shqiptar ishte atje për të ngritur meshë e për t’u përkulur para veprës dhe kujtimit të birit të lavdishëm. Një numër arbëreshësh nga Sicilia dhe Kalabria sollën kurorën dhe homazhin e tyre shekullor, të pamort. Bashkia e Lezhës, Qendra e Edukimit të Fëmijëve dhe gjimnazi “Gjergj Kastrioti” ishin impenjuar me mundësitë e tyre modeste për t’u dhënë jetë një ceremonie dhe dy shfaqjeve me fëmijë dhe gjimnazistë, ku nderonin me pjesëmarrjen e tyre disa amatorë më të rritur dhe dy-tre profesionistë vendorë.

Kaq ishte 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në Lezhën ku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vdiq dhe u varros. Pa llogaritur shiun e trishtë, të imët dhe të ftohtë, përzier me pak erë vendi, që derdhej nga të çarat e mbulesës së memorialit apo që binte pjerrtazi, në shtrirjen e qytetit, si për të theksuar, duke e përligjur në mënyrën e tij, praninë modeste të vetë lezhjanëve në një përkujtim që, së paku, në kalendar i kishte të gjitha letrat në rregull të ishte kombëtar, mbarëkombëtar, solemn, popullor dhe elitar në të gjitha pikëpamjet. Asgjë e tillë.

Asnjë përfaqësues nga qeveria. As ministër, as zëvendësministër, as këshilltar, as drejtor drejtorie, as inspektor, asnjë. Asnjë përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, asnjë deputet, as nga shumica, as nga opozita. Asnjë përfaqësues nga Presidenti i Republikës. Të gjithë të kapur nga aktualiteti mizor dhe meskin. Asnjë përfaqësues nga institucionet studimore apo universitare kombëtare. Askush nga institucionet kombëtare të skenës dhe ekranit. Dhe kjo jo vetëm në Lezhë.

Edhe në Tiranë dhe në qytete të tjera, dita kryesore e Vitit të Skënderbeut u kremtua jo si për birin më të shquar të kombit tonë, jo si për një përvjetor të plotë me pesëdhjetë, që për nga pesha vjen menjëherë pas përvjetorëve me qindëshe, por si një rutinë e spërkatur me ca diskurse e aktivitete si për të larë gojën. Duke parë me trishtim si ishte lënë Lezha vetëm në një kremtim që duhej të ishte kombëtar e mbarëkombëtar, për të mos thënë edhe më gjerë, të vinte të pyeste: Çfarë është Viti Kombëtar i Skënderbeut?

Shpallje, apo program? Kush është komisioni i posaçëm që thuhej se u krijua apo do të krijohej me Vendim të Këshillit të Ministrave, në ditët e para të vitit 2018? Kush e kryeson këtë komision, me se merret, nëse ekziston? A nuk mund të planifikonte dhe dërgonte në Lezhë, minimumi, disa grupe artistësh profesionistë nga Teatri Kombëtar apo Teatri i Operës, nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve pranë këtij teatri, siç është bërë në përvjetorët e tjerë të plotë për Skënderbeun?

Apo data 17 janar e zuri në kundërkohë qeverinë dhe nuk ka fare komision? Me shumë gjasë, kështu është. Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut është thjesht një shpallje propagandistike dhe spontane e Kryeministrit në ditët e para të vitit, si t’i kishte rënë ndërmend papritur apo si t’ia kishte kujtuar njeri; është një episod më shumë i qeverisjes virtuale, i qeverisjes gjasme, por që në këtë rast kërcet fort, sepse në mes është historia. Kremtimet pa nivel, shumë larg madhështisë reale të Heroit Kombëtar, janë pasqyrë e një dukurie të kobshme, që po bëhet mbizotëruese në politikë, në kulturën tonë, në përgjithësi: është dukuria e prishjes së hierarkisë së vlerave, e uniformimit të vlerave.

Në zbatimin praktik, kjo shprehet në lartësimin mbi atë që janë të vlerave të zakonshme, mesatare apo nën mesatare dhe në uljen me tendencë nga ana tjetër apo, më keq akoma , në paaftësinë për t’i dalluar të vlerave të larta. Që, për nga natyra, janë atribut i pak individëve. Kështu goditen lartësitë. Kështu goditen standardet, modelet. Që asgjësohen nga etaloni i ri i banalitetit. Injoranca ngul flamurin e vet ngadhënjimtar në tempujt e politikës, kulturës.

Ky është konteksti që pushtetet e sotëm guxojnë – dhe çfarë të guxuar!- t’i blatojnë Gjergj Kastriotit, të vetmes figurë politike e ushtarake me një staturë të rrafshit europian që ka nxjerrë kombi ynë, një përkujtim të cilësisë së ulët që do t’u shkonte në rastin më të mirë figurave më pak se mesatare. Në esenë e tij të mrekullueshme “Mosmarrëveshja”, Ismail Kadare ka një përsiatje të fantazisë sikur Gjergj Kastrioti u arratis në hapësirë dhe në kohë me varrin dhe eshtrat e tij, si në ruajtje të një grali të shenjtë që është ajo çfarë ne kemi qenë e duhet të jemi: pjesë e familjes europiane perëndimore.

Përsiatja në fjalë, përfshin shekujt e gjatë të pushtimit osman, mbulon shekullin e pavarësisë së Shqipërisë deri në ditët e sotme. Është si një mesazh për t’u rigjetur e për t’u mbajtur fort, njëherë e përgjithmonë, në identitetin tonë të hershëm europian. Por Viti i Skënderbeut, i shpallur me bujë të madhe nga qeverisja virtuale, nisi keq. Po të vijojmë me përsiatjen e Kadaresë, nuk e ktheu heroin e arratisur me gralin e tij. Le të shpresojmë se 17 janari i 550-vjetorit të vdekjes së tij ishte një shfaqje e bastardimit që do të korrigjohet përgjatë vitit.