.

Asgjë e re nga fronti i Prokurorisë

Është bërë si avaz, avaz me ngjyrim të vjetër orientalist: Kushdo që vjen sefte në krye të Qeverisë, të Ministrisë, të Prokurorisë, të Drejtorisë, ia nis me një “paketë” standarde veprimesh e qasjesh, paketë e cila përmbledh: lëvizjen e një numri të caktuar shefash e funksionarësh; arredimin ndryshe të zyrës dhe nganjëherë të krejt ndërtesës së institucionit si dhe zgjedhjen sipas shijeve të shefit të ri të veturës dhe mjeteve të tjera të punës; pozicionimin pas njohjes subjektive me gjendjen e trashëguar nga paraardhësi në pikën zero apo diku aty afër, prej nga shefi i ri i jep vetes të drejtë të anatemojë paraardhësin dhe njëherësh t’i bjerë gjoksit se nën drejtimin e tij, gjithçka do të ndryshojë me themel.

Ky, pra, është avazi. Kush vjen, e kthen mbrapsht me lloj-lloj justifikimesh. E gjithë kjo, jo vetëm kur ka rrotacion në fund një mandati, por edhe kur ka rokada brenda mandatit në vazhdim. Dhe gjithë ketë, drejtuesit tanë kanë qejf ta quajnë reformë. Ky është vizioni i tyre komik. Kaq i hap krahët fantazia e tyre dinake për reformën: të marrin në grusht institucionin si ta kishin pronën e tyre.

Ajo që vjen më pas, është dështim. Një dështim, që duhet të maturohet në kohë, pra, të marrë kohën e vet. Për fat të keq! Zinxhiri i drejtimit në Shqipëri përgjatë viteve na tregon këtë tablo: Të gjithë vinë si reformatorë të mëdhenj dhe pastaj paraqiten si shkatërrimtarë të mëdhenj nga pasuesit e tyre, të cilët ia nisin si reformatorë të mëdhenj për t’u përsëritur gjithçka nga e para si në një rreth vicioz. Në këtë zinxhir, sindroma e vitit zero është gjëja më e keqe.

Por duke shmangur këtë teprim të mendjeve të prishura, duhet ta themi se stanjacioni apo përkeqësimi kanë dominuar mbi reformimin dhe modernizmin. Në politikë, në drejtësi, në ekonomi gjithashtu. A janë lëvizjet e fundit në Prokurori, shprehje e avazit që parashtruan më sipër?

Lëvizjet në fjalë nuk i shpëtojnë, apriori, leximit me të cilin na ka mësuar vetë praktika e funksionimit të institucioneve tona. Por nuk përjashtohet mundësia të jenë motivuar nga një logjikë tjetër. Mund të jenë skema, mund të jenë disa prej tyre veprime që do t’i kishte bërë edhe ish-Prokurori Llalla po të kishte vazhduar. Një gjë është e pashmangshme në këto lloj punësh: qëllimet e vërteta i lexon shumë saktë bilanci. Shumë shpejt edhe Prokurorja e Përkohshme, Arta Marku, do të duhet të ketë një bilanc.

Qoftë edhe në funksion të synimit të saj për të konkurruar për postin e Prokurores së Përgjithshme, që do të zgjidhet sipas Kushtetutës. Ajo është në të drejtën e saj, të bëjë lëvizjet që i sheh më të arsyeshme brenda kuadrit ligjor. Ata që preken nga këto lëvizje, mund të ankimojnë në rrugë institucionale, siç edhe shohim të ketë ndodhur. Të tjerëve jashtë institucionit, sidomos politikanëve, nuk u shkon të shprehen en blok për këto lëvizje.

Politika qëndron në një spektër tjetër artikulimi për Drejtësinë dhe Prokurorinë. Politikanët mund të denoncojnë paligjshmërinë. Këtë duhet ta argumentojnë mirë, me profesionalizëm dhe jo vetëm në foltoret e politikës. Edhe në vetë aulat e drejtësisë më të epërme. Ka sigurisht kundërthënie flagrante në atë që është thënë nga disa deputetë socialistë, se Prokurori i Përkohshëm nuk ka të drejtë të bëjë lëvizje të rëndësishme dhe vetë gamës së lëvizjeve që po bën zonja Marku.

Nuk mund ta di, sa prej këtyre lëvizjeve janë brenda tagrit dhe sa janë jashtë tagrit të saj si Prokurore e Përkohshme. Për këtë, duhet të shprehen më mirë juristët e fushës. Por një gjë mund të thuhet: Zonja Marku mund të reflektojë frymën e Reformës në Drejtësi dhe mund të jetë në një gjatësi vale me pritshmëritë e faktorit ndërkombëtar, por është jashtë përfytyrimit të mendohet se ndryshimet në Prokurori po i bën ambasada amerikane, siç thuhet e shkruhet andej-këndej.

SHBA presin mbarimin e vetingut, ngritjen e SPAKU-t dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Këtu do të jetë SHBA. Në një rol substancial dhe jo duke i mbajtur dorën dikujt për gjëra të vogla. Ndryshimet në fjalë nuk kanë lidhje me Reformën në Drejtësi. Se cilët do të jenë Prokurorët e drejtësisë së re, do ta marrim vesh pasi të përfundojë vetingu. Se ku do të jetë iks apo ypsilon prokuror, do ta marrim vesh pasi të zgjidhet KLP dhe Prokurori i Përgjithshëm sipas Kushtetutës.

Për momentin, pavarësisht lëvizjeve, nuk ka ende ndonjë të re nga fronti i Prokurorisë. Hetimet për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duken pezull, a thua se prokurorët po shohim topin nga shkon e vjen. Hetime të tjera për çështje të ndjeshme nuk shihet të ketë. Kishte një lajm për një shpluhurosje të dosjeve të krimit në Lezhë, siç ndodhi para pak muajsh në Kavajë, por nuk është ende e qartë, a ishte nga ato lëvizjet e njohura të Prokurorisë së damkosur që turret të çojë lepurin për vete, apo një hetim serioz që synon të bëjë drejtësi.

Nuk mund ta dimë sa do të guxojë në përgjithësi Prokuroria e drejtuar nga një Prokurore e Përkohshme si zonja Marku, që për me tepër është zgjedhur me vetëm 69 vota të shumicës socialiste në një situatë bojkoti dhe refuzimi nga opozita. Ajo mund të bëjë shumë për t’u ngritur në lartësinë e prokurores së ligjit. Por kush mendon se me duart e një Prokuroreje të Përkohshme, do të mbyllë dosjet e krimit të ministrave të tij, apo do të pastrojë hangarët e Agjistit që ta gjejë gati ai apo ajo që do të vijë nesër, është në një iluzion të madh.

Kjo, nuk mund të ndodhë. Pse? Sepse drejtësia, në pikëpamje të drejtimit dhe funksionimit po bëhet e do të bëhet plotësisht shqiptaro-amerikane-europiane. Ndërkombëtarët kanë këtu një rol dhe një protagonizëm që nuk e kanë në sektorë të tjerë. Nga kjo pikëpamje, opozita duhet të jetë më e kujdesshme përsa i takon përfshirjes së çështjeve të drejtësisë në protestën e saj të 27 janarit. Ilegjitimiteti flagrant i qeverisë së Ramës, padrejtësitë, korrupsioni, papunësia, varfëria, kriza, demagogjia – të gjitha këto, dalin e teprojnë për të motivuar qytetarët, pa dallime, që të dalin në protestë.

Mesazhet që kanë të bëjnë me drejtësinë, duhet të jenë shumë të logjikshëm dhe në përputhje me qëndrimet e partnerëve amerikanë. Vetëm kështu ngjisin. Sot, shumica dërmuese e shqiptarëve besojnë se drejtësinë po duan ta marrin në dorë ndërkombëtarët. Prania e ndërkombëtarëve në organe të tilla si SPAK apo në Byronë Kombëtare të Hetimit e mbështet këtë bindje.

Kjo është pritshmëria reale dhe shpresa për drejtësinë e re. Dhe, në fakt, nuk funksionon ndryshe. Faktorët vendas, të çimentuar në pushtet, perceptohen me shumë si solidarë me një drejtësi të kapur nga pala që ka pushtetin për momentin se sa si reformatorë të një drejtësie të pavarur . Politika i bën llogaritë sa me bindjet, aq edhe me perceptimet e njerëzve.