.

Vrasja e liderit serb Oliver Ivanoviç në Kosovë, ja reagimet nga politikanët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar ashpër vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” në veri e vendit, Oliver Ivanoviç.

“I ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka apeluar te qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për zbardhjen e atentatit.

Pas vrasjes së liderit serb në Kosovë, ka reaguar Qeveria e Republikës së Kosovës duke thënë se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës.Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet.
Ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç e ka quajtur vrasjen “një akt terrorist.Vuçiç kërkoi përfshirjen e agjentëve serbë në vrasjen e Ivanoviç, duke e shfrytëzuar ngjarjen për të vënë edhe njëherë në dyshim sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Gjithashtu kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka dënuar ngjarjen e rëndë dhe ka bërë thirrje që të zbardhet sa më parë duke vënë autorët përpara drejtësisë.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shpreh keqardhjen e thellë dhe dënoi ashpër vrasjen e politikanit serb të Kosovës.
Ai ka bërë thirrje për vlerësimin e situatës me qetësi e maturi dhe që ky akt kriminal të mos ndikojë në procesin e rëndësishëm të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës.
Kryeministri Edi Rama e sheh vrasjen e Ivanovic si një akt me qëllime të këqija që nxit tension. Ai bën thirrje për vijimin e dialogut për paqe.
“Keqardhje e thellë për tragjedinë e Oliver Ivanovic; akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension. Përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur! Duhen thelluar!”, shkruan Rama.

Kreu i PD Lulzim Basha thotë se një akt i tillë, “përveçse një atentat ndaj jetës, synon të jetë një atentat ndaj proçeseve të bashkëjetesës e të dialogut në Kosovë”.

“Vrasja e sotme e Oliver Ivanoviç në Mitrovicë, është një akt i pastër kriminal që meriton hetim të plotë dhe ndëshkim nga organet ligjzbatuese në Kosovë.

Akti, përveçse një atentat ndaj jetës, synon të jetë një atentat ndaj proçeseve të bashkëjetesës e të dialogut në Kosovë” shprehet Basha.