.

Viti i Ri 2018 – Shpresë dhe dëshira të pa plotësueme

Sami Repishti/ Ridgefield, CT.- Për të gjithë vëllaznit dhe motrat e së vetmes racë njerëzore: Gëzuar Vitin e Ri 2018. Paqë në Botë me shpresa të gjalla, dhe dëshira të plotësueme.

sami_repishti

Por, reagimet politike në Serbinë fqinje, e Kroaci, ndaj vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë tregojnë se jemi në prak të nji periudhe të pasigurtë në Europë; “nacionalizmi i demoduem” ka ngritë kokën e nepërkës , dhe pasionet e masave popullore  dhe të pa informueme drejtësisht kanë fillue të ndizen.

“Gjykata Ndërkombëtare e Hagës konfirmoi qartësisht si janë përgatitë dhe koordinue planet për krime masive kështu që të formoheshin Serbia e Madhe dhe Kroacia e Madhe, nji andërr që do të arrihej me coptime, dhe nuk do të kishte ma Bosnje-Herzegovinë” shkruente ish zadhanësja e Gjykatës, Florence Hartmann. “Ashtu si reagoi sot Beogradi, len të kuptohet se pushteti i sotëm në Serbi (fqinje) nuk mohon qellimet, as nuk distancohet qartësisht nga ata, as pranon krimet. Kjo kuptohet se ata mund të përsëriten. Sot, në epokën e kercënimit të luftës me armë berthamore, kjo ashtë e tmerrshme, me të vërtetë e tmerrshme!

Pikësynimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ka qenë avancimi i frymës së pajtimit në Ballkan, dhe dënimi i kriminelëve serbë ndihmon këte pikësynim…!

Para nji situate të këtill, Rusia e Putinit përpiqet me zgjanue influencën e saj në Ballkan, dhe Serbia  ashtë faza e parë, dhe e sigurtë. Në vitin 2009, rreth 73 përqind e popullsisë serbe dëshironte Bashkimin me Europën; sot, 2017, kjo përqindje ka ra në 49 përqind – ma pak se gjysma e popullsisë.

Zhvillime të këtilla shqetësuese ngjasin në Serbi, ku zgjanohet qendra-bazë ushtarake e përbashkët me Rusinë në qytetin Nish, rrethë 30 km larg kufinit ndërkombëtar me Republikën e Kosovës. Në Mal të Zi që kufizohet me Shqipërinë Veriore, Rusia tentoi kryengritjen kundër qeverisë së ligjëshme të vendit dhe vrasjen e kryeministrit malazias, përpjekje që dështuen. Këto zhvillime u vunë në dukje edhe nga KM i Shqipërisë, Edi Rama, në sesionin e fundit për Ballkanin perëndimor të organizuem nga “miqtë e Europës’, muejin e kaluem. “(Pra),…. rreziku ashtë real, është i rrezikshëm…Në qoftë se BE nuk do të vrapojë, të pres, por të vrapojë të na kapë, atëherë, më besoni, do të kemi nji larmi problemesh të tjera që do rrisin dhe do të jenë shumë herë më të kushtueshëm se po të martoheni me ne”. E. Rama zuni me gojë Turqinë, Rusinë e Kinën- si vende që mund të na damtojnë…!

Nji situatë kritike e këtill randon shumë ‘frontin e mbrendshëm’ kur raportet zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT) i Shqipërisë konfirmojnë se “…jetesa me 4 euro në ditë konsiderohet si varfëri relative sipas standardit të Bankës Botërore. Kategoria e personave në këte kategori konsumi konsiderohen ma shumë si varfëri se sa jetë normale. Llogaritë tregojnë se 10 përqind e familjeve që përbajnë 7 përqind të popullsisë së vendit, me 199.761 persona, konsumojnë 15 euro në ditë për frymë, ose tre herë ma shumë se 93 përqind e popullsisë.” (Credisbank,30.XI.2017) Rritja e pabarazisë ekonomike ashtë baza e krijimit të pakënaqsisë dhe trazimeve sociale.

*****

Kam përshtypjen se jemi në nji etapë pasigurie ndërkombëtare. Themelet e sistemit të demokracisë me përfaqsues të zgjedhun nga populli po lëkunden, sidomos me fitoren e kandidatit Donald J.Trump si President i Shteteve të Bashkueme të Amerikës, (not my president!) -nji miljarder arrogant pa  eksperiencë në diplomaci as në problemet ushtarake që përballon sot bota,- si dhe me fenomenin negativ të Brexit-it në Britaninë e Madhe. Filozofi britanik A.C. Grayling (Cambridge U.) spjegon:” (Kjo që ngjet) ka nji mekanizëm kontrolli e balancimi të pamjaftueshëm në elitën e pushtetit politik e ekonomik, nji dështim në arsimin qytetar që ashtë i nevojshëm me edukue nji popullsi të mirë-informueme, si dhe shtrembënime ideologjike të krijueme nga përpjekjet e lobizmit që mbron interesa të veçanta”.

Në nji sistem “demokratik” të këtill zgjedhësit kërkojnë ma shumë se meritojnë (“populizmi”); të pakënaqun, ata synojnë nji shtet me premtime falso, dhe kur e marrin ata punojnë me “destrukturue sistemin qeveritar” ekzistues. (Steven Bannon). Sundimi i shumicës nuk ashtë nji garanci e mjaftueshme për demokraci. Që nga Antikiteti grek, na këshillohemi me korrigjue këte të metë me : 1) rregulla kushtetuese që pengojnë ushtrimin arbitrar të pushtetit; 2) me imponimin e standardeve pune e sjellje për të gjithë zyrtarët; dhe, 3) nji element dyshimi nga masat e gjana ndaj pushtetarëve…..

Aspekti që “demokracia” nuk ka zgjidhë akoma ashtë parabazia ekonomike që rritet çdo ditë, e në çdo vend. Cilat janë masat qeveritare që do të kufizojshin krijimin e nji oligarkie tejet të pasun e që rrezikon bazat e demokracicë? Sa e rrezikshme ashtë injoranca popullore për demokracinë? Dhe, demokracia me perfaqsues të zgjedhun, sa liri na lejon me ndjekë interesat e prosperitetin tonë individualisht? Grayling ngulë kambë që ne, të gjithë ne, de-aktivizohemi nga institucionet disfunksionale, nga nji qytetari  pa gjykim praktik, dhe nga nji pushtet i shfrenuem i korporatave. Për këte qellim, ai këshillon mbajtjen e klasave “qytetarie” në shkollat tona, zbatimin e përfaqësimit proporcional në pushtet, votime të detyrueshme që nga mosha 16 vjeçare, dhe eliminimin e institucioneve disfunksionale që mbahen në kambë me subvencione të pajustifikueshme qeveritare. Veçanërisht, ai  porositë të mos harrojmë se referendumet nuk kanë fare të bajnë me demokracinë përfaqsuese. Shembulli ma i keq ashtë rezultati i Brexit në Britaninë e Madhe.

Eksperienca e jonë gjatë këtyne 27 viteve të tranzicionit nga diktatura në demokraci, në nji  sistem demokratik përfaqsues dhe efektiv ashtë me të vërtetë shgënjyese. Në kondita të këtilla, nuk mund të pritet që Shqipëria të jetë në gjendje me ba korrektimet e duhuna për nji demokraci të dëshirueshme. Detyrat për nji orientim të këtill janë të mëdha e të vështira. Klasa politike shqiptare nuk ashtë tregue në naltësinë e duhun; popullsia shqiptare, në përgjithësi, pa arsim civik të mjaftueshëm dhe pa eksperiencë demokratike në vend, nuk ka as nxitjen as përgatitjen e duhun për reforma thelbësore që kërkon sistemi  demokratik.

Për fatin tonë të mirë, kemi nji zgjidhje që premton: hymjen në Bashkimin Europian dhe pjesëmarrjen e plotë në lëvizjen e madhe europiane për nji Europë të bashkueme dhe paqësore, ma njerëzore dhe të zhvillueme ekonomikisht, me nji arsim që shërben qytetarin me kuptue ma mirë botën që po ndërtohet, dhe që na ofrohet me qenë pjestar i plotë i saj.

Për fatin e keq, Europa sot jep përshtypjen e “nji kontinenti të thyem”. Siguria politike dhe zhvillimi ekonomik i Europës që na kemi dëshmue mbas ramjes së komunizmit dhe të Bashkimit Sovietik, jep përshtypjen se Europa nuk ashtë ma “e bashkueme”: Brexit i Britanisë së Madhe, adhurimi i jonë për demokraci ashtë lëkundë, zhvillimi ekonomik si sistem kapitalist ka prodhue edhe kriza që kanë dobësue besimin tonë në aftësinë e individit të lirë, dhe “apeli” që lëshon “populizmi” sidomos mbas ardhjes në fuqi të Presidentit Trump na paraqiten me pyetjen e madhe, ndoshta jetësore për shume shtete të vogla si Shqipëria: KU VEMI ?

Politikisht, atmosfera e dekadave së para në Rusinë e re, e sidomos paqa e arsyetueme me Gjermaninë, janë kercënue nga veprimtaria agresive e Presidentit Putin në Gjeorgji, Krime, Ukrainë, me ndërhymjen ushtarake në Siri, me politiken paternaliste në Serbi dhe agresive e kriminale në Mal te Zi – komshi i jonë. Tani së fundi, kemi edhe lëvizjet separatiste rajonale në të gjithë Europën që rrezikojnë shtetet kryesore të kontinentit. B.E. dhe SHBA që nga Kurdistani deri në Catalonia nuk i kanë përkrahë këto lëvizje, por nuk janë në gjendje me i pengue. Simbas BE-së, në 28 vendet e këtij grupimi politik kemi 276 krahina të ndryshme me struktura dhe kategorizime të ndryshme. Përkrahja e tyne do të destabilizonte Europën ashtu si e njohim ne sot. Disa prej tyne, si Catalonia (Spanjë) dhe Scotland (Britani e Madhe) kanë zyrët e tyne në Bruksel. Parlamenti Europian ka nji koalicion të njohun si “Aleanca e lirë Europiane”. Shpresa se Europa udhëtonte drejt “nji superfuqie globale e ardhëshme” dhe ideja se BE ishte i destinuem për “nji periudhë të artë” ka qenë e përgjithëshme. Sot, mbretnon frika se Europa dhe Perendimi, në përgjithësi, kanë hy në “fazën e zbutjes”.

Europa e shekullit 21, ka hy në epokën e “mosmarrëveshjeve”. Në Gjermani bahen përpjekje me shpëtue kontinentin dhe rendin ndërkombëtar të rrezikuem nga diplomacia nacionaliste e Presidentit amerikan Trump. Gjermania, ishull paqe dhe stabiliteti politik kontinental, garanci e ndërtimit të rendit ndërkombëtar liberal në Europë, ka fillue me dyshue në efektivitetin e aftësinë e saj me ruejtë këte rend. Në vendet baltike ashtë e qartë frika e nji ndërhymje ruse, dhe konfliktet në Lindjen e Mesme rrezikojnë me kalue në Europë, nji kontinent që ka rezervime të forta në NATO si rrjedhim i qendrimit të ri izolacionist amerikan.

Në London dhe Varshavë dyshimet për Europën janë dhe ma të thella. Pakënaqsia e madhe me maqinerinë burokratike të BE-së, e pa-aftësinë e saj me dalë nga kriza financiare, humbja e “sovranitetit kombëtar”, janë sentimente të përgjithëshme. Nji authoritarizëm i rrezikshëm për demokraci në Poloni, Hungari, Çeki e Sllovaki (vendet e Vishegradit) vejnë në pyetje aftësinë e BE me përballue këte krizë, dhe me mbrojtë e avancue demokracinë. Franca me gjithë fitoren e bujshme të Presidentit Macron paraqitet si “nji shoqëni e ngrime” me ndasi të mëdha në mes të “emigrantëve” dhe popullsisë vendëse. Në Romë dhe në Athinë, rrjedhimet e krizës ekonomike janë të mëdha dhe të qarta: papunësim, pabarazi shoqënore, ekonomike  dhe vuejtje masive që dobësojnë demokracinë…!

Qartazi,  “populizmi” që kercënon Europën Lindore (demokraci të reja)  e rrezikon thymjen e solidaritetit europian, nuk ashtë përgjigje për nji Europë të Bashkueme dhe paqësore. Ka mundësi që vala e “populizmit” do të pakësohet sepse premtimet e dhanuna nuk mund të mbahen, dhe dëshirat e masave nuk mund të plotësohen. Kjo u tregue edhe në votimet e fundit në Europën qendrore e perendimore ku “populizmi” ka pësue humbje në votime. “Populizmi nuk paraqitet si nji ideologji e vetme, megjithëse të gjithë, pa përjashtim, kritikojnë valët e emigracionit,  sidomos mysliman. Por suksesi i tyne, edhe ashtu i kufizuem, ka thye disa aleanca politike tradicionale, dhe ka vështirësue krijimin e koalicioneve qeveritare” shkruen Steven Erlanger i gazetës The NY Times.

Kohët e fundit, riorganizimi i gjykatave në Poloni ka detyrue BE me cenzurue qeverinë polake me akuzën e “damtimit të demokracisë” shtylla themelore e BE-së. Demonstrata masive protestuen vendimin qeveritar që minonte parimin e sundimit të ligjit; në fakt, ligji i ri efektivisht nënshtron sistemin gjyqsor kontrollit nga “partia” në pushtet, nji thymje serioze e vlerave bazike të demokracisë si janë pluralizmi dhe respekti për kundërshtarin (disidentin)- meturinë e rrezikshme e sistemit komunist Partia polake në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, ka kufizue tubimet publike, ka rritë kontrollin e mediave, dhe ka dobësue pavarësine e sherbimit civil dhe atë të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe veprimtaritë e OJQ kombëtare dhe ndërkombëtare. Traktati i BE-së parashikon që të gjithë anëtarët “…do të ruejnë respektin për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit e të drejtat e njeriut.”(Art.7)

Shqetësuese ashtë edhe gjendja e re politike e krijueme për kancelaren gjermane Angela Merkel. Koalicioni solid i dekadave të fundit u trondit me fitoren e neo-nazistëve AfD (Aleanca për Gjermaninë) në Parlament, nji thymje serioze. Partia e kancelares Merkel (34 përqind e votave në Parlament) gjindet para dy alternativave: me pranue bashkëpunimin me AfD në qeveri, ose zgjedhje të reja.

Por kjo situatë ka krijue nji rrymë frike në Europë- mos-stabilitetin politik në Gjermani, shtylla kryesore e BE-së, dhe sjellë kujtimin e së kaluemes tragjike , kur nazistët përfituen nga kaosi e vendosën diktaturën. Por gjermanët janë të aftë për kompromise të ndershme politike dhe evitojnë katastrofën. Europa pret çdo ditë nji zgjidhje të këtill. Në çdo rast, kompromisi kërkon edhe guxim me spjegue arsyen e tij dhe pse ashtë nji problem vital për demokracinë.

*****

Situata shqetësuese në Europë – pa zanë me gojë trazimet e Lindjes së Mesme dhe terrorizmin, e sidomos rrezikun e nji konflagracioni me armë atomike që rrezikohet nga Koreja e Veriut- merr përpjestime kritike për shqiptarët: e para, sepse jemi nji “demokraci e re”, pa eksperiencë dhe traditë; dhe e dyta, sepse kemi trashëgue efektet shkatërrimtare të diktaturës 45 vjeçare komuniste.

Shqipëria ka nevojë urgjente për reformim. Hapi i parë ashtë krijimi i nji atmosfere mirëkuptimi të ndërsjellë. Shqipëria nuk ka “armiq”; shqiptarët nuk janë “armiqtë” e njeni tjetrit. Shqipëria dhe shqiptarët që “mendojnë ndryshe” nga ne gëzojnë të gjitha të drejtat e tyne kushtetuese me mendue e veprue lirisht- sidomos kur mendimi i tyne nuk na pëlqen. Aksiomë demokratike! Në se nuk trajtojmë kundershtarët me respekt sot, nesër do të korrim atë që kemi mbjellë!

Por nji Shqipëri që drejtohet nga nji Kuvend i zgjedhun krejtësisht nga kryetarët e partive politike respektive ashtë nji “tallje e egër” me popullin e pafuqishëm-, dhe konceptin e përfaqësimit demokratik. Grupet politike nuk janë toga ushtarake! Zgjedhjet parlamentare me lista janë meturinë e traditës komuniste që duhet të ndryshojnë “këtu dhe tani”! Zgjedhjet që fitohen me votime të bleme me të holla e shpërblime janë anti-ligjore, duhen zbulue e dënue me ligj. Shqipëria ka nevojë për deputetë të ndershëm, të aftë, të dedikuem dhe të lirë me mendue e veprue si përfaqsues të lirë, me arsye e ndërgjegje. “Deputet pa dinjitet” ashtë nji epitet turpi për kombin tonë, dhe duhet të luftohet me çdo mjet ligjor.

Në Shqipëri flitet për drejtësi, pushtet ligjor të pavarun e megjithate veprohet si në ditet e diktaturës. Në Poloni, gazetari Igor Janke, tue spjegue dilemën e madhe të sistemit gjyqsor tha:” Kur dikush më thotë se po shkatërrojmë sistemin e drejtësisë, unë pergjigjem: ‘Cilin sistem?’ Që në fillim, më 1990, komunistët që kryen krime kundër popullit i ‘shpëtuen drejtësisë” Ai i quen gjykatësit ‘merimanga të kuqe’ Këto merimanga ushqejnë merimanga të reja, dhe në gjykatat polake ka plot nga këto merimanga që ndjekin “vijën e Partisë”!

Nji spjegim i tillë tingëllon familjar për Shqipërinë, ku “drejtësia” u sulmue randë për 45 vjet me rradhë, ku ligji ishte “vija e Partisë” dhe ku u eliminue edhe Ministria e Drejtësisë si “e panevojshme”. Merimangat shqiptare sigurisht mbrojnë “vijën e Partisë” dhe kur këto merimanga korruptohen “nga pushteti dhe paraja”, e keqja që rrjedh ashtë e pallogaritëshme.

Nji sistem qeveritar që adopton ose lejon konstruksione shtetnore të këtilla rrezikon jetën e “Shtetit” që drejton. Historia na jep mjaft shembuj cili ashtë përfundimi i nji kombi që sundohet nga qytetarë që nuk gëzojnë besimin e popullsisë. Në këte situatë, vetëm nji rezistencë popullore paqësore dhe e energjizueme, shpëton situatën. Duhet ngritë zani i protestës deri në qiell! Nga Shqipëria, nji koleg i imi, mendimin e te cilit unë çmoj, shkruente: “…Ne i kemi të gjitha mundësitë. Kemi vendin që nuk mungon asgjë, kemi mundësi për turizëm veror e dimëror, kemi naftë me shumë se nevojët që kërkon tregu shqiptar, kemi minerale, kemi bujqësi, por nuk kemi qeveri. Drejtuesët e partive politike flasin vetëm për partitë dhe asnjë herë për Shqipërinë. Ky është dinjiteti ynë, kjo është fatkeqësia jonë. Kemi intelektualë të niveleve të larta, por nuk gjenden “burra shteti” për ta nxjerrë vendin e trevat shqiptare nga bataku ku kanë rënë”. Ky mesazh ka qenë dhurata ma e mirë për mue në vitin e ri 2018.

Asnjeri, i mbrendshëm ose i jashtëm, nuk ka autoritet ligjor ose moral me i imponue “sovranit”, popullit shqiptar, zgjidhje që nuk burojnë nga vetë qytetarët shqiptarë. Por edhe sikur zgjedhësit në votime të ngrihen kundër “sundimtarëve” dhe “deputetëve” (të shitun ose të blemë) do të kalojnë mjaft vite para se të rivendosen vlerat themelore të demokracisë shqiptare.

Shqipëria ka nevojë për gjak të ri, për nji sistem demokratik pluralist, për parti politike të pakorruptueme, për liderë pa kompleksin napoleonik; Shqipëria e jonë ashtë e vogël, e vorfën, e dobësueme nga vuejtjet e djeshme dhe të sotme. Le të mos harrojmë!

Shqipëria ka nevojë për nji të ardhme ma të mirë dhe ma premtuese. Megjithëse duhet kohë dhe punë e ndërgjegjshme me kthye vendin tonë në rrugën e përparimit të gjithanëshëm, ne, të gjithë ne, duhet të ushqejmë shpresën se e kaluemja nuk na ka vrarë fare, dhe se në mbrendinë tonë kemi akoma bindjen dhe forcën e nevojshme me përballue vështirësitë, e me ngritë nji Shqipëri që na ushqen me dinjitet, dhe me dinjitet na nderon para botës së qytetnueme.

Ky ashtë urimi im i Vitit të Ri 2018 për të gjithë vëllaznit dhe motrat e mia shqiptare kudo që jetojnë!

panorama.al