.

Kukësi prezanton trajnerin e ri, Peter Pacult: Prisni ekip ofensiv, do mbrojmë titullin

Kukësi prezantoi zyrtarisht Peter Pacult për stolin. Austriaku, me një të kaluar te Munchen 1860, Dynamo Dresden, Rapid Wien apo Leipzig, është trajneri i ri i kampionëve në fuqi dhe objektivi është mbrojtja e titullit. Edhe pse misioni duket tejet i vështirë, presidenti Gjici ka vlerësime maksimale.

Safet Gjici

“Pacult firmosi kontratë një vit e gjysmë. E falenderoj qe ka pranuar te bashkepunojë me ne. Trajner me shumë eksperiencë dhe ka drejtuar klube te njohura. Per here te pare ne Shqiperi ka ardhur nje trajner me kete ekseriencë te Rapidi Vjenës, Lajpcigu. Duhej një trajner i tillë për të mbrojtur titullin kampion dhe fituar Kupën”.

Nga ana e tij, ashtu siç është edhe e drejtë, trajneri u shfaq më i balancuar, duke mos premtuar objektiva konkretë, por tregoi atë çfarë pret nga skuadra.

Peter Pacult

“E falenderoj presidentin per besimin, do të punoj te arrij maksimumin. Prej disa ditësh kam nisur punën të njihem sa më shpejt me ekipin, ndërsa për këtë do të më ndihmojë edhe faza përgatitore në Antalia. Qëllimi ështe që ekipi të luajë futboll të bukur dhe ofensiv. Duhet të shkojmë patjetër në Europë. Aktualisht jemi në vend të katërt dhe, na duhen dy lojtarë të përforcohemi dhe të synojmë ta mbyllim sezonin në menyrë të suksesshme”.

Pacult e njeh Shqipërinë, prej Hamdi Salihit, por edhe sepse në të kaluarën ka ardhur shpesh në vendin tonë për të evidentuar lojtarë.

Peter Pacult

“Te Rapidi kam drejtuar Hamdi Salihin, megjithatë nuk komunikova me sulmuesin në momentin që zgjidha Kukësin. Kam ardhur shpesh në Shqipëri për të ndjekur lojtarë. Me ndihmën e stafit do të njihem me mirë me ekipin dhe te arrijme suksese. Vjen një trajner i ri me ide të reja dhe lojtarët duhet të përshtaten. Me afrime cilësore dhe kohën e përgatitjeve synojmë të arrijmë më të mirën përsa i takon mundesive te ekipit. Nga kundërshtarët njoh Partizanin dhe Skënderbeun që kanë emër të mirë në Europë”.

Në prezantimin e trajnerit të ri, presidenti Gjici komentoi edhe afrimet e merkatos së Janarit dhe ndryshimet në staf, me Nderim Nexhipin që mori postin e drejtorit sportiv.

Safet Gjici

“Trajneri e zbuloi njërën prej dhuratave të merkatos, por do të ketë edhe të tjera. Bëhet fjalë për tre katër lojtarë cilësorë për t’u përforcuar.Gjithashtu në klub afrohet edhe Nderim Nexhipi në rolin e drejtorit sportiv. I uroj suksese per këtë detyrë shumë të rëndesishme, besoj shume te Nexhipi që do të ketë rol për marrëdhëniet me publikun, të afrojë talente në skuadër dhe të punojë për shitjen e lojtarëve”. /supersport/