.

Për një vit më të mirë nuk mjafton vetëm të lutesh

Nga: Astrit PATOZI

Nuk ka vite të këqinj, por mund të ketë kohë dhe mundësi të shpërdoruara. Ndaj edhe urimi për një vit më të mirë nuk është asnjëherë pa kuptim.
Është dëshira për të mos përsëritur mëdyshjet, komplekset, tundimet, frikërat, ankthet etj, që janë bërë shkak për mosrealizimet, në rastin më të mirë, dhe dështimet, në rastin më të keq.
Lutja është e bukur, jo thjesht se ilustron përuljen dhe kufizimet e njeriut para Zotit apo gjithësisë, por ajo asnjëherë nuk mjafton. Kështu thonë edhe vetë librat e shenjtë.
Ka përherë një shans të ri, i cili nuk ka shumë lidhje me 1 janarin, ndonëse dëshirat më të mëdha formulohen dhe shqiptohen më 31 dhjetor.
I cili, mbi të gjitha varet prej besimit dhe këmbënguljes sonë.
Ndaj urimi sot shkon më shumë për ata që besojnë se mund ta ndryshojnë fatin e vet dhe pasi ta kenë kryer këtë “detyrë të vogël”, kanë mundësi të bëjnë diçka më shumë edhe për të tjerët.
Mos besoni shumë tek ata që betohen dhe përgjërohen fort për atdheun, duke i shitur për sakrificë privilegjet dhe paudhësitë e veta.
Një çerek shekulli është boll për t’u lodhur, mërzitur dhe pështirosur nga hipokrizia. Kohë plotësisht e mjaftueshme, që secilit t’i kishin vënë festen sipas kokës.
Zakonisht, e mira duhet kërkuar aty ku nuk përmendet. Por kjo nuk është arsye për të heshtur, e aq më pak për të ulur kryet.
Duke uruar një vit më të mirë për të gjithë shqiptarët, lutem që përherë e më shumë që ata të kuptojnë se e kanë vetë në dorë ndryshimin për mirë të jetës së tyre.
I cili, pa asnjë dyshim, fillon tek tavolina e sotme e natës së ndërrimit të viteve, e cila e bën më të qeshur qytetin, që ky i fundit pastaj ta bëjë më të bukur “tokën, ku na ka rënë koka”.
Miqtë e mi! Asgjë e bukur nuk vjen pa qenë një herë më parë ëndërr. Ndërkohë që fati ndihmon gjithmonë guximtarët, thotë një fjalë e urtë.
Me fjalë të tjera, nuk mjafton të jesh ëndërrimtar, nëse nuk ke kurajo që ta ndash me të tjerët dhe të luftosh për bindjet e tua.
Ambicia, inati, hakmarrja, xhelozia dhe lakmia janë vërtetë shtysa të forta, që në disa raste kanë ndryshuar edhe fatin e njerëzimit. Por nuk ka asgjë më të qëndrueshme dhe më të sigurt se dashuria për t’i dhënë kuptim jetës dhe për të përmirësuar botën. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm raportin e pakrahasueshëm të Evës me Adamin.
Secili prej nesh ka në dorë të jetojë një vit më të mirë dhe, nëse ne do të jemi shumicë, do të thotë automatikisht një vit më i mbarë për Shqipërinë.
Dhe për këtë nuk është e domosdoshme që të ketë patjetër zgjedhje.

Gëzuar të gjithëve!