Femen godet sërish në Vatikan, për Krishtlindje. Tre vite pas tentativës së parë, një tjetër aktiviste e lëvizjes, topless, është arrestuar dhe larguar duke u mbështjellë me një xhup, pasi kishte tentuar të vidhte statujën e fëmijës Jezu nga prezepi i sheshit “Shën Pjetri” në Romë.
Sajti i lëvizjes në internet e ka identifikuar aktivisten tashmë të arrestuar si Alisa Vinogradova. Objektiv i grupit, të themeluar në Ukrainë, është fitorja e plotë mbi patriarkatin. Femen kishte goditur edhe gjatë meshës së mesnatës, me një aksion, po topless, në sheshin “Shën Pjetri”.
Tre vite më parë, në Krishtlindjen e 2014-ës, u përsërit e njëjta skenë. Një aktiviste e Femen, kishte tentuar të rrëmbente fëmijën Jezu, por u ndalua në kohë. E akuzuar për akte të padenja në një vend publik dhe për tentativë vjedhjeje, asaj iu ndalua të shkelte sërish në Vatikan.
Po të njëjtin vit, tre anëtare të tjera të grupit kishin kryer akte të ngjashme në sheshin ikonik. Në mars të 2013-ës, kur kardinalët u mblodhën për të zgjedhur Papën e ri, dy aktiviste të Femen u zhveshën për të treguar shkrimin në gjokset e tyre, ‘Jo më Papë’.