.

Dhuratat e fundvitit/ shqiptarët kursejnë në sasi, por jo në cilësi, ja çfarë dhurojnë më së shumti

Është rritur vlera e pakove që dërgohen, ndërsa është ulur sasia. Pakot janë bërë më të personalizuara, ndryshe nga vitet e tjera. Pra ka tendencë për dhurata më cilësore…

Kompanitë e mëdha private apo institucionet shtetërore kanë vijuar trendin e viteve të mëparshme sa i përket dërgimit të dhuratave apo kartolinave përmes postës. Operatorët e shërbimeve postare tregojnë se produktet janë të njëjtat si gjithmonë, ku dominojnë më tepër axhendat e kalendarët, ndërsa shportat me produkte të ndryshme apo pakot me pije janë përdorur, por më pak. Ajo që po mbizotëron është dërgimi i shisheve të verës, që po i zë vendin shportave të mbushura me çokollata e ëmbëlsira të ndryshme, që ishin tipike vitet e kaluara.

Risia për këtë fundvit, sipas tyre, qëndron në dërgesa më të mëdha në Kosovë, duke qenë se bizneset shqiptare kanë dërguar atje më shumë se vitet e kaluara. Ndërsa sa u përket kartolinave, këtë vit kanë qenë të shumta institucionet që kanë përdorur kartolina të fshatit SOS apo të Fondacionit Doën Syndrome, blerja e së cilave ndihmon financiarisht këto grupe në nevojë.

Sipas drejtuesve të United Transport (UPS) është vënë re një tendencë tjetër e kompanive private për sa i takon dërgimit të dhuratave. Po dërgojnë pako me vlerë më të lartë, por më pak të tilla. “Është rritur vlera e pakove që dërgohen, ndërsa është ulur sasia. Pakot janë bërë më të personalizuara, ndryshe nga vitet e tjera. Pra ka tendencë për dhurata më cilësore”- tregojnë ata.

Ndërsa sa i përket përdorimit të kartolinave nga institucionet private, nga UPS tregojnë se më së shumti, janë zëvendësuar me ato elektronike. Ata pohojnë qe fluksi pritet në fund, ndonëse me dërgesat kanë nisur që javën e shkuar.

Burime nga Posta Shqiptare shprehen se ecuria e këtij viti është në të njëjtin trend si vitet e mëparshme. Institucionet shtetërore, të cilët kryesisht zgjedhin të bëjnë dërgesat përmes këtij institucioni, dërgojnë kryesisht kartolina. Megjithatë, ata pohojnë që kanë pasur edhe pako si shporta apo pije, por më pak në numër dhe kryesisht nga biznese apo banka. Sipas tyre, këtë vit dominojnë produktet e marketingut: kalendarë, axhenda etj.

Operatorët e shërbimeve postare thonë se, sikurse ka ndodhur çdo vit, nuk arrijmë të “shpëtojmë” nga një traditë tipike shqiptare, ajo e dërgimit të pakove në momentet të fundit, ndaj pritet që fluksi më i madh të jetë pas datës 27./Monitor