.

Ja cilat jane 20 sipërmarrjet me norma më të larta fitimi në vend

Ndërsa shumë kompani në vend arrijnë të fitojnë me mundim mes 5-10% të të ardhurave, të tjera raportojnë norma kthimi tepër të larta, që arrijnë deri në 75%. Sipërmarrjet që japin me qira, koncesionet, lojërat e fatit, bankat, ato që punojnë me tendera me shtetin raportojnë norma mjaft të larta fitimi. 20 kompanitë me normë më të lartë fitimi nga VIP-at paraqiten në grafikun në fund.

Qendra Tregtare Univers (QTU), pjesë e grupit Balfin, e cila në dhjetor 2014 doli me NIPT më vete, është një nga bizneset me normë më të lartë fitimi në vend. Për vitin 2016, qendra e parë tregtare në vend, që solli një rikonceptim të biznesit të retail, ka deklaruar një normë fitimi prej 76.7%, ndërsa fitimi në vlerë absolute ishte 372 milionë lekë, me një rritje prej 18.5% me bazë vjetore. Samir Mane, president i grupit Balfin, pohon se QTU e ka shlyer tashmë investimin dhe shpenzimet e administrimit janë minimale. QTU është tashmë në fazën e zgjerimit përmes ngritjes së katit të dytë. Edhe vitin e kaluar, QTU e kryesonte këtë listë, me një normë ende më të lartë, prej 81%.

C.A.E. është këtë vit në vend të dytë, me një normë prej 75.6%, që lidhet me uljen e ndjeshme të shpenzimeve të aktivitetit në 2016-n. Ndonëse me fitime të larta, asetet e kompanisë muajt e fundit janë vënë në sekuestro nga përmbaruesit, për llogari të kreditorëve, të cilët kërkojnë ekzekutimin me forcë të detyrimeve si rrjedhojë e faturave të papaguara (sipas veprimeve në QKB).
EKMA Albania, me aktivitet shitje, blerje, dhënie/marrje me qira të pronave të paluajtshme, ka hyrë në listë këtë vit. Teksa fitimet u rritën me 52% në 361 milionë lekë, kompania raportoi përfitueshmëri prej 75.5%. EKMA Albania administron tregun agroushqimor në hyrje të kryeqytetit të vendit.
Në listën e 20 sipërmarrjeve me përfitueshmëri më të lartë ka katër koncesionarë: GJO-SPA POWER, ANIJET E SHËRBIMIT DETAR, ALB-ENERGY, TIRANA INTERNATIONAL AIRPORT SH.P.K.

Nuk mungojnë as bankat, sipërmarrjet e ndërtimit dhe tre subjekte të lojërave të fatit. Edhe këtë vit, norma të larta fitimi raportojnë subjektet që kanë kontrata me sipërmarrjet me pronësi shtetërore. HTT – High Tech Tests, e krijuar në fillim të vitit 2014, me aktivitet në verifikimin e të gjithë llojeve të matësve elektromekanikë dhe statikë të energjisë elektrike aktive dhe reaktive, raportoi dhe këtë vit një normë prej 52% dhe fitime prej 226 milionë lekësh. Sipas të dhënave të saj zyrtare, një pjesë të rëndësishme të Grupit e përbën edhe Kolaudimi i matësve të ujit dhe matësve të energjisë elektrike.

Universiteti më fitimprurës është Aldent, me një normë prej 49% (fitime 192 milionë lekë).
Nga kompanitë shtetërore kryeson për përfitueshmëri, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (41%), që kryen shërbimet e targimit të automjeteve, pagimit të taksave të automjeteve, etj., të lidhura me to.

Monitor