.

Politico.eu: BE i hedh sytë nga Ballkani, por jo nga Shqipëria

Paralelisht me një fushatë të papërmbajtur që po zhvillon brenda vendit të tij, kryeministri Edi Rama po përhap perceptimin se, Shqipëria është pranë hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Por portali i njohur Politico shkruan sot se BE i ka hedhur sytë nga Ballkani, por në mënyrë selektive dhe se Shqipëria nuk futet tek te favorizuarat, për të parë së shpejti dritën jeshile për të nisur negociatat me BE.

Gazetari Harry Cooper shkruan në një editoral tek Politico.eu se, “Brukseli nuk parashikon që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen me BE-në në të njëjtën kohë, nëse bashkohen… Në vend të kësaj, Komisioni ka vlerësuar Serbinë dhe Malin e Zi si në krye të garës për anëtarësim në vitin 2025, në mos më herët. Të dy vendet do hapin kapituj të rinj të negociatave për anëtarësim të hënën në Bruksel”.

Fokusi në këto vende ka shkaktuar alarm dhe zemërim mes vendeve të tjera, kryesisht në Kosovë dhe në Shqipëri, vazhdon më tej shkrimi.

Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj thotë se Serbia po merr trajtim preferencial për shkak të frikës se mund të afrohet me Rusinë.

Edhe ambasadorja shqiptare në BE, Suela Janina thotë se kanë ngritur pikëpyetje se përse duheshin theksuar emrat e Serbisë dhe Malit të Zi.

Por Komisioni thotë se ka theksuar këto emra shtetesh sepse kanë nisur negociatat. Por diplomatët rajonalë druhen se kjo dyshe do të marrë pjesën e luanit sa i përket vëmendjes së Brukselit, theksohet në analizë.