.

Kryeprokurori i ri/ Basha i përgjigjet Ramës:Zbato kushtetutën përndryshe….

Pas përfundimit të mbledhjes me grupin parlamentar, kreu i PD Lulzim Basha i ka dhënë përgjigje ftesës së sotme të kryeministrit Edi Rama për të gjetur konsensusin për kryeprokurorin e përkohshëm.
Basha ka deklaruar sërish se nuk do të bashkëpunojë me maxhorancën dhe kryeministrin Edi Rama për çështjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm.
Basha e paralajmëroi Ramën se nëse nuk do zbatojë kushtetutën për zgjedhjen e kryprokurorit të ri, atëhere do të përballet me përgjigjen më të fuqishme politike dhënë ndonjëherë nga opozita.
Basha iu bëri thirrje deputetëve të mos pranojnë të votojnë për Prokurorin e përkohshëm.

“Së pari i bëj thirrje çdo deputeti të përfshirë në këtë proces të tërhiqet menjëherë sepse po bën shkelje flagrante të Kushtetutës. Kushtetuta e ka përcaktuar qartë. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e votave, Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të zgjidhet pa vetting. Pyetja shtrohet pse një vit e gjysmë pas reformës në drejtësi, Edi Rama do të zgjedhë apo të emërojë një kryeprokuror pa vetting dhe vetëm me votat e maxhorancës. Përgjigjja është e qartë për çdo shqiptar besoj. Për të mbrojtur paratë e pista të drogës, për të mbyllur dosjet e krimit, dosjet e Tahirit, Habilajve, Balilajve, të oficerëve të lartë të policisë në kërkim, të Vangjush Dakos, të Qazim Sejdinit, Damian Gjiknurit, Ilir Beqaj. Si do të mbyllen dosjet me një kryeprokuror që e cakton Rama? Fare e thjeshtë. Me ligjin që vetë Rama ka caktuar ky kryeprokuror do ketë fuqi të transferojë apo pezullojë prokurorët dhe të bëjë vlerësimin e tyre. Pra, skema është e qartë. Edi Rama ia ka dalë të sabotojë procesin e ngritjes së KLP dhe tani na fton të shkelim Kushtetutën me qëllim që ai të ketë një Kryeprokuror nën hyqmin e tij, i cili do të bëjë të mundur jo luftën kundër krimit por mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve. Natyrisht që kjo është e papranueshme. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim nga PD dhe nga asnjë parti politike me një keqbërës që dëshiron të shkelë Kushtetutën për të emëruar një Kryeprokuror që të mbyllë aferat dhe dosjet kriminale. Thirrja ime e vetme ndaj Edi Ramës është të zbatojë Kushtetutën dhe jo se ja kërkoj unë por se e ka për detyrë. Nëse Edi Rama vepron në kundërshtim me Kushtetutën për të futur në dorë institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm me të vetmin qëllim për të mbyllur dosjet dhe hetimet e korrupsionit atëherë ai do të përballet me përgjigjen më të fuqishme politike nga opozita”, deklaroi Basha.