.

Përgatituni për më shumë shira gjatë natës.Mbyllet për herë të parë autostrada Tiranë-Durrës

Situata e shirave do të përkeqesohet. Meteoalb, parashikon që gjatë mbrëmjes së sotme sidomos natën do të kemi reshje shiu me intesntitet të lartë. Edhe nesër gjatë ditës reshjet e shiut do të vijojnë të bien në të gjithë territorin. Vetëm të premten në mesnatë pritet të ketë ulje të reshjeve të shiut.

Në autostradën Tiranë-Durrës qarkullimi është bllokuar. Përballë karburant Kastratit niveli i ujit ka arritur mbi 0.75 metra. Disa makina raportohen të mbuluara nga uji, po ashtu shumë të tjera të bllokuara në trafik mbeten të rrezikuara.

Policia po përpiqet të devijojë qarkullimin e makinave në rrugën dytësore përballë me karburantin, por deri tani pa rezultat. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se drejtuesit e makinave i kanë braktisur, ndërsa prej një ore presin për ndihmë. Por, Drejtuesi i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi u shpreh për Opinion se emergjencat janë njësi koordinimi dhe nuk kanë kapacitetet e duhura për të ndërhyrë.

Burime të Lapsi.al bëjnë me dije se autostrada është mbyllur nga të dyja drejtimet. Makinat që vijnë nga Tirana policia i kthen në Kamëz, ndërsa makinat që vijnë nga Durrësi kthehen në Vorë.

I gjithë vendi është përfshirë prej mesditës së sotme nga moti i keq.

Në Durrës porti është bllokuar pas shirave të rrëmbyeshëm që kanë nisur që të mërkurën në mbrëmje. Si pasojë e detit të keq, Kapiteni i Përgjithshëm i Kapitenerive ka urdhëruar pezullimin e anijeve të tonazhit të ulët e të mesëm dhe gjithë sektorit të peshkimit. Edhe linjat e trageteve kanë anomali të mëdha. Kapiteni i Përgjithshëm i Kapitenerive ka urdhëruar pezullimin e anijeve të tonazhit të ulët e të mesëm dhe gjithë sektorit të peshkimit. Tragetet e linjës Durrës-Bari, Durrës-Ankona pritet të mbërrijnë nga gjashtë-shtatë orë me vonesë. Sipas Kapitenerisë, forca e detit arrin deri në gjashtë ballë në gji, ndërsa arrin tetë në det të hapur.

Shkodra është qarku që është përmbytur i pari. Sipas Emergjencave Civile në disa njësi administrative të Shkodrës janë dhjetra hektarë tokë nën ujë, ndërsa raportohet edhe për mungesë të energjisë elektrike. Energjia elektrike mungon edhe në Velipojë. Lumi Kir i ka rritur ndjeshëm prurjet dhe rrezikon të dalë nga shtrati. Situatë problematike paraqitet edhe në jug të vendit.

Dy qarqet që rrezikojnë më shumë të përballen me përmbytjet janë Fieri dhe Vlora. Këto dy qarqe rrezikojnë edhe nga vërshimi i ujërave të lumit Vjosa.

Institutit i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, parashikon se reshjet mund të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj. Në disa qarqe të vendit raportohet edhe për rrëshqitje të tokës.

Fatkeqësisht është regjistruar edhe viktima e parë e këtyre përmbytjeve. Ai është një elektriçist nga Fieri, i cili ra në kontakt me energjinë elektrike teksa ishte ngjitur në shtyllë për të rregulluar defektin.