.

FOTOT/ A po e mbështet Olsi Rama, Bashkim Finon për tu bërë President i FSHF-së?

 

Pak ditë më pare, Presidenti aktual i FSHF-së Armando Duka, u shfaq në një intervistë me Sokol Ballën. Natyrisht një nga temat më të nxehta të momentit, është se kush do të zgjidhet president, pra do të rikonfirmohet Duka apo do ketë një sfidant për emrin e tij? Emri që është lakuar në media këto kohë, është ai i deputetit socialist Bashkim Fino. Madje disa media opozitare kanë akuzuar kryeministrin Rama se ai po investohet fuqishëm për të patur President të ri të FSHF-së Finon. Këto media shkojnë edhe më tej, teksa pohojnë se Rama po bën ç’mos që të bindi jo vetëm kryebashkiakët e majtë që të votojnë të zgjedhurin e tij, por po kërkon të joshë edhe ata të djathtët duke iu premtuar më shumë investime. Këto janë disa akuza që duhen provuar, por një gjë është e sigurtë, që Duka e sheh Finon si një kandidat serioz që ia kërcënon kolltukun. I pyetur nga Balla, ai shprehet: “Kam dëgjuar edhe unë për Bashkimin, që mund të jetë. E njoh, kam marrëdhënie personale me të, e kam pasur shok shkolle. E respektoj si njeri. Sa i përket kandidimit si pjesë e një partie, i përket atij ta mendojë. Nëse partia do ta kandidojë, ta kandidojë nga selia e partisë, të jetë kandidati i zyrtarizuar i partisë. Ne kemi pasur deputetë që kanë deklaruar nga foltorja e parlamentit që arbitrin e godita unë, edhe kjo mund të ndodhë. Nuk besoj se Partia Socialiste do të angazhohet në një fushatë sportive, edhe nëse një nga radhët e saj mund të jetë kandidat”. Ky ka qenë prononcimi i Presidentit aktual të FSHF-së, Armand Duka.

Nga ana tjetër, në një analizë të tij, gazetari sportiv Fatmir Mëneri, e komenton në këtë mënyrë përgjigjen e Dukës për Finon: “Ajo që tërheq menjëherë vëmendjen është “gracka” ku Duka kërkon të tërheqë Finon. Pas qokave, “e kam mik”, “e kam patur shok shkolle”, apo edhe mosbesimit se PS do të angazhohet në këtë fushatë, “ftesa për duel” është që kandidimi i Finos të vijë nga selia e partisë në pushtet, pra të mënjanohet përballja nga fusha e blertë e ta çojë në atë “të zezë” të politikës.”

Ndërkohë gazetari i kujton Dukës që nuk është në kohën e Berishës i cili ishte më tolerant edhe ndaj gabimeve, si dhe i citon shprehjen e të ndjerit Arbnori i cili thoshte: “Keta nuk janë socialista, por specialista!”

I pyetur nga gazeta “Panorama Sport” në lidhje me kandidimin e mundshëm apo jo, ishkryeministri Fino la gjithçka të hapur. Ai nuk e pohoi se do ta ndërmerrte një hap të tillë, por as e mohoi mundësinë për të qenë rival i Dukës në  këto zgjedhje. “Nuk është koha e duhur për t’u prononcuar në lidhje me këtë çështje. Është shumë shpejt. Megjithatë, unë mund të them se, meqenëse e kam mik, Duka duhet ta kursente sarkazmën me Partinë Socialiste sepse PS-ja i ka bërë nder. Gjithashtu duhet ta kursente sarkazmën edhe me emrin tim, Bashkim Fino”, – ishte deklarata e tij.

 

Se çfarë do të ndodhë më tej, kjo pritet të shihet, por e vërteta është që këto kohë, vëllai i Kryeministrit Rama, Olsi shihet shumë shpesh të takohet me Bashkim Finon në një lokal llotoje në zonën e ish-Bllokut. Foto të këtyre takimeve (që gjithsesi janë publike dhe aspak të fshehta), disponon edhe hapur.al. Nëse këto janë thjesht takime miqsh dashamirës të sportit, apo lobime të favorizimit të kandidaturës së Finos kundrejt asaj të Dukës, kjo mbetet për tu parë.