.

Premier League, të mëdhenjtë nuk falin. Ftojnë City, Arsenal, Çelsi e Liverpool

U luajtën mbrëmje e sotme 6 takimet e vlefshme për javën e 14-të të Premier Ligës angleze. Një mbrëmje plot gola, por pa rezultate surprizë. Skuadrat e mëdha kanë bërë detyrën duke triumfuar.

U duk se Mançester Siti do të bënte një hap fals në shtëpi ndaj Southempton, por ka qënë një gol i Stërling në minutën e 96-të që i dha fitoren “qytetarëve”.

Arsenali bindi në shtëpi teksa mposhti me rezultatin 5-0 Hadërsfilldin. “ Topçinjtë” ndodhen në vendin e 4-t me 28 pikë. Fitore me mjaft vlera edhe për Liverpulin që mposhti Stok Sitin në transfertë me rezultatin 0-3. Dopieta e Salah dhe goli i Manesë i dhanë fitoren skuadrës së Jurgen Klopit, pas barazimit 1-1 ndaj Çelsit.

Londinezët e Antonio Kontes mposhtën me vështirësi Suonsin 1-0. Një gol i Rudiger në minutën e 55-të i dhuroi fitoren Çelsin në këtë javë të 14-të. Në sfidat e tjera të luajtura sot, Bournemuthi u mund në shtëpi nga Bërnli me rezultatin 1-2 ndërsa Evertoni shpartalloi 4-0 Uest Hemin.