.

EKSKLUZIVE/ Skandali te Mjekësia Ligjore, drejtori i shkarkuar “zapton” zyrën

Me urdhër të ministrit teknik Gazmend Bardhi fundqershorin e 2017, Bledar Xhemali, u largua nga detyra e drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Shkarkimi u bë për shkak të shkeljeve të rënda, të kryera gjatë ushtrimit të detyrës. Grupi i inspektimit zbuloi se Xhemali kishte kryer shkelje të rënda administrative dhe ishte përfshirë në lëshimet e akteve të ekspertimit të pavërteta, ndër to edhe aktekspertimet që i dhanë lirinë Indrit Taullait, një prej anëtarëve të “Bandës së Durrësit”.

Brenda një periudhë gjashtë mujore, rezultoi se kishte firmosur tri akte të ndryshme, ku i fundit prej tyre u përdor nga i dënuari për të rifituar lirinë.

Ai nuk e njohu urdhrin por vazhdoi detyrën edhe për disa ditë, por u largua vetëm pasi Ministria e Drejtësisë iu drejtua prokurorisë, ku depozitoi një kallëzim penal ndaj tij për “ushtrim të funksionit të mënyrë të paligjshme”.

Bledar Xhemali nuk u ndal, por iu drejtua Gjykatës Administrative duke kërkuar rikthimin në detyrë, të drejtën të cilën e fitoi.

Me vendimin e gjykatës në duar, në muajin shtator ai është kthyer sërish në zyrën e tij, duke marrë drejtimin e IML-së, ndërsa nuk rezulton të ketë një urdhër të Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, për riemërimin e Bledar Xhemalit në këtë detyrë.

Burime të rezervuara thanë për hapur.al, se ministrja Gjonaj ka urdhëruar në dy raste inspektime nga vartësit e saj, për të sqaruar njëherë e mirë situatën e krijuar. Kjo situatë – thanë burimet – mund të gjejë zgjidhje vetëm me ndërhyrjen e policisë.

Hapur.al iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë me pyetjen nëse kishte urdhër riemërimi në detyrë për Xhemalin dhe mori përgjigjen e mëposhtme.

“Drejtori i IML është nëpunës i Shërbimit Civil, marrëdhëniet e punës të të cilit rregullohen nga ligji nr.152/2013. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka dhënë vendim duke shpallur të pavlefshëm vendimin e Komisionit Disiplinor “për largimin nga Shërbimi Civil”. Detyrimi për zbatimin e vendimit të gjykatës dhe materializimi me një akt i kthimit në detyrë është e Departamentit të Administratës Publike. Vendimi i Gjykatës është detyrim për zbatim nga të gjitha institucionet”.

Por, znj.Gjonaj nuk shpjegon nëse ka firmosur, ndonjë propozim të DAP që Bledar Xhemali të jetë drejtor i IML-së, duke e lënë sërish të paqartë situatën.

Ndërkohë, Hapur.al tentoi të kontaktonte vetë Xhemalin, por ai nuk preferoi të bënte asnjë koment.

Në këtë situatë, shefi i IML-së, vijon të “prodhojë” akte përditë, në një kohë që ligjërisht, nuk mund ta ushtrojë këtë detyrë, sepse nuk ka akt emërimi.

Pyetja që shtrohet është; a konsiderohen të ligjshme këto akte, kur mbajnë firmën e një nëpunësi të Shërbimit Civil, kur ai vetë nuk rezulton të jetë rikthyer në detyrë sipas procedurave të parashikuara nga ligji?