.

Alaves shkarkon Gianni De Biasin për rezultate të dobëta

Gianni De Biasi shkarkohet nga detyra e trajnerit të Alaves në Primera Division. Klubi spanjoll e zyrtarizoi vendimin nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku sqaronte ndërprerjen e kontratës me ish-trajnerin e Shqipërisë, i cili vetëm pak kohë më parë zëvendësoi Zubeldian.

“Klubi bardhekaltër ka vendosur në ndërpresë kontratën me Gianni De Biasin, pas rezultateve të dobëta të javëve të fundit. Për momentin, skuadrën do ta drejtojë Javier Cabello. E falënderojmë De Biasin për punën e kryer në këtë periudhë dhe i urojmë fat në të ardhmen.”

De Biasi, në eksperiencën e tij të dytë në La Liga (ka drejtuar Levanten në sezonin (2007-2008), e mori Alavesin në vendin e fundit të renditjes, me zero pikë dhe zero gola të shënuar në pesë javët e para. Pavarërisht pritshmërive të larta, nuk mundi të ndryshonte shumë gjëra, duke koleksionuar 2 fitore dhe 5 humbje në 7 ndeshje në pankinë (plus një fitore në Kupën e Mbretit ndaj Getafes). Pas javës së 13-të, skuadra baske vijon të klasifikohet e fundit me 6 pikë. /supersport/