.

Grida Duma: “Një miliard”, projekti i Ramës që demokratizon varfërinë dhe privatizon pasurinë e këtij vendi

 

 

 

Nëse Shqipëria do të mund të ushqehej duke ngrënë lajmet e prodhuara për konsum masiv, nën qeverisjen e Ramës, shqiptarët do ishin një popull i mbiushqyer.

Kjo qeveri “prodhon lajm”,  e shet dhe e blen, askund tjetër përveçse në bursën e lajmeve të Ramës, aksionet e informacionit që “duhet të dalë” dhe atij që “s’duhet të dalë”, nuk janë shitur më shtrenjtë. Askush nuk di më mirë sesa profesionistët e informacionit që është pushtet, se kur duhen akuzuar mediat e kazanit se po bëjnë zhurmë kot, dhe kur me shumë zell i duhet rënë vetë legenit. Këto ditë lajmet për drejtorët e përgjuar të policisë do vijojnë të mbajnë frymën e gjallë dhe gjakun e ngrirë atyre që gjatë vakteve të javës nuk diskutojnë dot për tu ushqyer mirë, por vetëm për të mbushur stomakun. Duket se më në fund kjo shoqëri gjithë sy e veshë për ekrane dhe lajme, ka gjetur psikoterapinë e varfërisë në superprodhimin mediatik, teksa u gëzohet me të drejtë arrestimeve dhe ndëshkimeve që priten, duke u ngrohur nën ndriçimin e vobektë që sjell shpagimi.

Po bëhen muaj nga çështja Tahiri, dhe të tjera të dhëna dhe përgjime priten të na mbushin me më shumë terr zbraztësinë e ditëve në vijim; jemi thuajse të sigurt se këto lajme do të marrin gjithë vëmendjen e duhur, apo më saktë aq sa duhet, që hallet e përditshme të shqiptarëve të mbyllen nën këta kapakë pusetash.

Shqipëria po zhytet në terrin ku fillimi e mbarimi i gjërave të rëndësishme, është krimi, politika e inkriminuar, paratë e zeza që mbysin tregun dhe blejnë njeriun, votën, drejtësinë si të ishin mallra shumice me paleta e koli.

Ishte ky superprodhim lajmesh që prodhoi veç terr informativ, arsyeja që paketa një miliardëshe rrëshqiti nën vëmendjen e publikut ashtu si uji nën derën e një shtëpie të braktisur. Si të gjitha reklamat e Ramës, paketa një miliardëshe e ka gjenezën disa vjet më parë, kur qeveria kishte vështirësi të argumentonte pse nuk po investonte askund. Pikërisht atëherë nisi të valëvitet flamuri i reklamës së miliardave që era e Rilindjes do të sillte për shqiptarët, çka të kujtonte aromën e ushqimit që nuk vjen nga kuzhina jote, pikërisht atëherë kur nuk të ndodhet asgjë për të gatuar.

Paketa një miliardëshe tashmë është përfshirë në 500 faqet e buxhetit të shtetit – në dhjetë kolonat e saj miliardëshi i famshëm ofron check-up, laboratorë, Rrugën e Arbrit, inceneratorë dhe shkolla që sipas të dhënave do të ndërtohen në dyfishin e numrit të imagjinuar, edhe pse shifrat që duhet të përkthejnë në realitet ambicien e kësaj imagjinate, ende vazhdojnë të mos jenë të qarta.

Një milliard euro të cilat qeveria thotë që do t’i hedhë në ekonomi nëpërmjet privatit, por që pastaj do t’ia paguajë një më një krahas interesit të bankave. Kjo zgjidhje e arnuar pervjedhëse dhe e shtrenjtë, është zhytja e radhës në një tjetër gropë ekonomike, e parave të shqiptarëve. Për të paktën 10 vitet e ardhshme, njerëzit do të duhet të paguajnë për check-up-ët që nuk duan t’i bëjnë e për plehra që nuk duan ti djegin.

Gjithsesi nëse ju nuk doni të kujdeseni për shëndetin, kjo është puna juaj. Tani që puna e shëndetit tuaj u zgjidh, Rama do të zgjidhë problemet e veta dhe ato i ka të shumta. Që qeveria Rama të marrë kredi të mëtejshme, institucionet ndërkombëtare të monitorimit FMN dhe BB nuk e lënë, sepse që në këto momente jemi në tavanin më të lartë të përballueshëm të borxhit midis 69% – 71%. Nga ana tjetër, ekonomia e shkatërruar nuk arrin dot të sigurojë një buxhet që të përballojë koncensionet e rënda, investimet në infrastrukturë dhe humbjet nga doganat për të avantazhuar klientët e vet.

Qeveria e ka të pamundur të kërkojë 1 miliard euro borxh publik, edhe pse borxhi publik e ka interesin e shlyerjes disa herë më të vogël se kredia që do të marrin privatët, ky shtet, që i njëjti shteti do t’ia paguajë. Rritjen e mëtejshme të borxhit nuk e lejojnë dhe nuk e aprovojnë as BB dhe as FMN, pasi kjo do ta çonte në 82% borxhin publik në një nivel krize të atillë që shteti me pak tronditje ekonomike falimenton. Në këto kushte Rama shpalli gjetjen e tij magjike, Paketa “Një Miliard” do të na rrisë ekonominë me 6%. Do marrim kompani private tha Rama, që të marrin borxh privat me interesat trefish, dhe këto interesa do t’i paguajmë ne më pas.

Qeveria s’ka para, borxh drejtpërdrejtë s’merr dot, se ndërkombëtarët nuk e lënë. Atëherë le t’ua hedhim atyre duke shpikur një borxh shumë më të shtrenjtë po që s’na e llogarisin dot si borxh. Kështu, paketa një milliard do të shkëlqejë në veprimtarinë e ndërtimit, të inceneratorëve të mbeturinave, dhe në përmbushjen e detyrimeve të PPP-ve për check-up, dializë laboratore.

Në gjithë botën paratë e zeza pastrohen në dy sektorë; ndërtimi dhe djegia e plehrave. Jo për rastësi shumica e paketës një milliard shkon për ndërtim dhe inceneratorë. Çdo mendje normale do të ngrinte alarmin përse po merren kredi nga biznesi dhe me interesa biznesi për të investuar pa asnjë studim feasibiliteti, pikërisht në këta sektorë të cilët, që në momentet kur Shqipëria mori vulën e ekonomisë së zezë së trafikimit të drogës, bëjnë bashkë të gjithë elementët e dyshuar për pastrim parash.

Nuk është vetëm kaq. Paratë shteti do fillojë t’i paguajë pas tre vitesh nga ky moment. Kjo sepse projektet nisin vitin e ardhshëm dhe është parashikuar që kur të arrijnë në gjysmën e vet të fillojnë të paguhen nga buxheti. Pra rritja 6% e nivelit punësimit brenda vitit është gënjeshtër e pastër, pasi duhen së paku dy vjet të fillojë të ndihet efekti i punësimit që këto investime japin.

Nga ana tjetër paketa një miliardëshe sjell një risi madhore financiare – vlera që do të përcaktohet që në fillim për një projekt do të përllogarisë edhe kostot shtesë të paparashikueshme, si edhe një përqindje për risqe e tjera që nuk mund të parashikohen para investimit. Kjo metodë, kur shifra llogaritet aq e madhe që në fillesë sa të mbulojë të gjitha të papriturat është dukshëm korruptive dhe përfituese. Zbatimi i projekteve shpeshherë ka njohur rritje të kostove, por ato janë identifikuar konkretist kur janë shfaqur nevojat. Përllogaritja me përqindje që në fillesë është një spekullim që i jep përparësi zbatuesit të projektit të kërkojë sa më shumë të mundet, ndërsa nuk mund të argumentosh me saktësi pse duhet ose jo.

Nga ana tjetër qeveria Rama përfiton në çdo drejtim nga paketa një miliardëshe. Kështu shqiptarëve u duket sikur shteti po bën disa investime të cilat, përveçse kanë një kosto shumë të lartë dhe do të paguhen disa fish në vite, do të mbeten në përgjegjësinë e qeverisë së rradhës për t’i paguar, pasi gjatë qeverisjes Rama do të përballohet faktikisht vetëm 10 apo 15 përqind e vlerës së tyre.

Për vendime kaq të rëndësishme që ndikojnë xhepat e shqiptarëve për 10-20 vitet në vijim, është i nevojshëm një vendim në nivel kombëtar. Me Paketën “një milliard”, shqiptarët do të paguajnë një borxh publik që i kalon 450 dollarët për frymë. Nëse llogarisim që këtë borxh nuk e paguan e gjithë popullsia, por vetëm ata që i kanë të regjistruara pagat dhe të ardhurat, atëherë shifra e borxhit është shumë e rëndë për shqiptarët dhe cënon ekonominë e tyre bazike.

Jo më kot Banka Botërore dhe Fondi Monetar kundërshtojnë, pasi paketa një miliardëshe miratohet dhunshëm në kushtet ku vendi e ka absolutisht të nevojshëm të miratojë një pakt kombëtar, pasi disa miliona njerëz do të duhet ta pranojnë këtë barrë në të ardhurat e tyre.

Kjo paketë luksoze u ofrohet shqiptarëve në një epokë në të cilën një bandë kriminale e nivelit të mesëm e ka buxhetin sa një bashki mesatare.  Në buxhetin real, të Shqipërisë, bandat e nivelit të mesëm kanë zëvendësuar bankat e nivelit të dytë. Flitet se vetëm njëra nga bandat, e cila sipas dëshmive nuk është as më e madhja,  banda e Habilajve, ka qarkulluar 300 milion euro në më pak se një vit.

Por ndoshta 300 milionë Euro të xhiruara nga një subjekt i vetëm janë përtej fushëveprimit të ligjit. Sepse ligji, ky ligj i buxhetit të kësaj Shqipërie të koklavitur, u drejtohet vetëm njerëzve të thjeshtë. Ai praktikisht demokratizon varfërinë dhe privatizon pasurinë e këtij vendi. Asgjë nga e gjithë kjo nuk i intereson sadopak armikut të të gjithë gjymave dhe kazanëve. Ai vendos TVSH mbi biznesin e vogël, atë që punëson gjysmën e popullsisë, teksa përjashton nga taksat hotelet e luksit. Në fillim të këtij viti  burimet nga anti-krimi ekonomik identifikuan 48 milion Euro të pastruara  në pasuri të paluajtshme, nga ku 20% me llogari bankare dhe tjetra transaksione cash.

E në këtë situatë, biznesi i vogël, apo Sizifi i sipërmarrjes tonë, ai që punëson thuajse gjysmën e shqiptarëve, merr edhe një dhuratë tjetër të vogël por që peshon shumë: tatimin mbi vlerën e shtuar. Sepse duke dërrmuar biznesin e vogël, kjo qeveri bën shtet, dhe në këtë pushtet, i gjithë shteti i takon partisë. Këto s’janë aspak reforma të djathta, siç duan ti shesin marksistët. Por natyrisht as të majta nuk janë. Këto nuk janë reforma. Janë përvetësim i parave publike, janë rrjepje e sipërmarrjes së lirë, ku privati i privilegjuar fshihet pas privilegjit të shtetit-padron.

Asnjë investim strategjik nuk bën shteti-padron, pasi investimet kushtojnë dhe padroni nuk do të paguajë paratë që mund ti përfitojë. Në shtetin-padron investimet janë ulur në vetëm  4%… ndërsa 96% të tjera janë paga e mirëmbajtje apo operacione. Dhe operacionet e këtij padroni shtet, janë thjesht operacione fasade. Çfarë rritje ekonomike na solli  Pazari i Korçës, ku dyqanet e zbrazëta dhe pa dyqanxhinj janë të denja për librin Guiness të rekordeve. Gjatësia e valës së çmendurisë me Lungomaren duke shpenzuar fonde idiote për stolat inteligjentë të Vlorës, është tregues demence delirante; sot shohim se si mbi stolat inteligjentë ulen të ngrohen në diell njerëz që s’paguajnë dot dritat në shtëpi.

Në Durrës u shkul çdo pllakë e gurtë nëntokë e mbi tokë dhe u zhduk përjetë atraksioni arkeologjik dhe historik i qytetit, i cili veç historisë mund të ishte edhe promotor i ekonomisë së qytetit. Por ata që kundërshtojnë, kundërshton kot. I parezistueshëm dhe i pamposhtur është vullneti i qeverisjes së fasadës.

Në 1787, rusi Potemkin  ndërtoi një butafori të lëvizshme që nga larg dukej si një fshat model. Potemkini e ndërtoi fasadën që të bindte perandoreshën për sukseset e tij. Gjenialitet i hipokrizisë së fasadës mbuloi botën e kalbur të periferisë.

Po ashtu Rilindja urbane ringjalli shpirtin e qendrës së pikturuar  që e vetme mjafton për të mbytur përfundimisht  periferinë.

Shqipëria faktike është kjo. Rekordet e Shqipërisë nuk janë rekorde ekonomike. Janë rekorde kriminale. Në vitin 2013, kur PPSH-ja e PPP-ve mori pushtetin, një nga deputetët e nderuar të mazhorancës u shpreh kështu:

“Mbi të gjitha, një premtim që mund ta bëjmë që tani: “Nuk do vjedhim në mënyrë kaq flagrante sa ç’kanë bërë këta”.

Rilindja absolutisht e ka ngritur stekën në këtë drejtim. Dhe kjo nuk është as më shumë as më pak se një fatkeqësi kombëtare. Fatkeqësisht problemi i Shqipërisë është dhe vazhdon të mbetet sfida se kush do të vjedhë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më bukur sesa ata që janë në qeveri sot. Kjo është një sfidë e hapur, kjo është një sfidë që do të rezultojë në më shumë para droge, më shumë beton, dhe në shumë më pak zhvillim, që asnjë lidhje s’kanë me një buxhet real dhe faktik.

Dhe përballë gjithë kësaj, shqiptarëve u valëvitet në fytyrë mega-shpikja e fitores publicitare të radhës:

Një miliard!

 

Shkruar për hapur.al