.

Messi kushton 700 milion euro, ylli argjentinas rinovon me Barcelonën

Rinovimi i kontratës së Lionel Messit me Barcelonën, tashmë është zyrtar dhe për të çimentuar këtë moment kaq të rëndësishëm, mbërrin edhe fotoja e munguar, ku shihet pikërisht argjentinasi në krah të presidentit Bartomeu, gjatë procesit të hedhjes së firmave.

Kontrata e shumëpërfolur e Messit, e cila siç ishte paralajmëruar nga presidenti Bartomeu, ishte firmosur prej kohësh, ka lënë vend edhe për spekulime, pikërisht për foton e munguar, por tashmë kjo mund të quhet një çështje e mbyllur.

Në këtë mënyrë, Messi do të vijojë të jetë ikona e klubit katalanas deri në vitin 2021. Njëherazi është zyrtarizuar edhe klauzola e largimit, e cila kushton plot 700 milionë euro, shifër e vendosur për të përjashtuar njëherë e mirë mundësinë e përsëritjes së historisë me Neymarin, gjatë kësaj vere.

Një shifër e frikshme për një lojtar po të tillë, i cili që nga debutimi me katalanasit, numëron 602 ndeshje të luajtura, ku ka shënuar 523 gola dhe ka fituar 30 tituj. Historia vazhdon, të paktën deri në vitin 2021.