.

A ia vlen prezenca te farsa e qeverisë me aktivitetin për mbetjet?

PROF. JAMARBËR MALLTEZI

Sot fillon një aktivitet atipik për çështjen e mbetjeve. Fillimisht u njoftuam se do mbahet një konferencë apo kongres shkencor dhe si shumë kolegë profesorë, përgatitëm referime strikte shkencore mbi temat, me të cilat jemi marrë përgjatë dy viteve të fundit. Më pas u njoftuam që do kishte edhe një panair për trajtimin e mbetjeve, vijuar edhe me vizita në terren dhe deri këtu, është për t’u përgëzuar.

 

 

Por më pas, kur u shpalos programi, u pa se qeveria do shpaloste si suksese ato që, për mua dhe shumicën akademike dhe mjedisore që besojnë në përvojën Europiane dhe Waste Directive, janë kryekëput gafa të rënda, me gjasë të nxitura nga afera korruptive. Dhe në këtë shpalosje, qeveria nuk pranon debat për vetëmburrjet, por veç kërkonte spektatorë me tituj dhe grada shkencore. Për më tepër, edhe vizitat në terren janë të kopsitura nga qeveria të tipit “çun si mu, ti s’ke me gjet”, pra, veç në disa pika ku të tregohet fasada, por asgjë të matshme!

Asnjë vizitë, të shohim si trajtohen mbetjet urbane dhe ato të rrezikshme të Durrësit që hidhen në natyrë mes derrave dhe digjen duke lëshuar tym kancerogjen për dhjetëra kilometra tej, asnjë vizitë në lumin e Erzenit, ku kompani të lidhura me qeverinë hedhin mbetjet spitalore të rrezikshme, asnjë vizitë te mali me mbetje të rrezikshme në Elbasan, të futura në Shqipëri si lëndë e parë (dhe jo mbetje e rrezikshme), por vizitë në një djegës që e kemi paguar 20 milionë euro me taksat tona për një privat dhe që askush nuk di të thotë se i para sa 50 vitesh është, sa i ka normat e shkarkimeve në atmosferë, të certifikuara nga ndonjë laborator i akredituar, etj.

A ia vlen të paraqes dhe diskutoj gjëra strikte teknike në ballon me maska të qeverisë, e cila po kthen mbrapsht piramidën e trajtimit të mbetjeve nga prioriteti në Reduktim-Ripërdorim-Riciklim dhe më pas të tjerat, përfshi djegësit, në prioritetin e djegësve në shumicën e qyteteve dhe aktivitetet e tjera për të huaj dhe përjashtimin e ricikluesve shqiptarë. Pa asnjë debat shkencor për këtë vizion të përmbysur të qeverisë (që bie ndesh qoftë me Waste Directive dhe qoftë me Strategjinë për Mbetjet), kjo rrezikon të kthehet në ekspozitorë të fasadës që qeveria të vetëmburret në media. Qeveria i është përvjedhur shumë herë debatit mbi trajtimin e mbetjeve përgjatë vitit të fundit.

Në të paktën tri raste, deputetët e PS, ndonëse kishin konfirmuar pjesëmarrjen në debat televiziv me mua, ditën e fundit kanë bishtnuar dhe ua kanë lënë vendin e mbrojtjes së qeverisë disa të paguarve nga një universitet privat, që mesa duket, më shumë se sa cilësi akademike, po prodhon militantë partiakë.

Do kisha shumë dëshirë të debatohej dhe të kishim ballafaqim me qeverinë mbi qasjet nëse rruga me inceneratorë që ka zgjedhur qeveria, është më e mirë sesa strategjia e mbetjeve, hartuar me miliona nga BE në 2011. Por jo, ne po shohim fasadën e asaj që është sjellë në Elbasan (por që nuk i maten dot emetimet në ajër në laborator të akredituar) dhe qeveria rreh gjoksin pa pranuar debat, ndërsa akademikët duhet të duartrokasin apo heshtin.

Pastaj, kur të ikin mediat, ne le të flasim për tema teknike dhe shkencore (apo edhe të shpalosim gafat me qasjen e qeverisë), por askush nuk dëgjon pasi funksioni i vetëm ishte dalja në TV e lajmeve sipas dëshirave. Qeveria ende nuk ka deklaruar se çfarë e shtyu të bënte lojëra politike me importin e mbetjeve, as ndonjë qëndrim lidhur me hetimet në Itali për trafikun e mbetjeve të rrezikshme drejt Shqipërisë, ndërsa në vend që të mbështesë ricikluesit vendas me menaxhimin e mbetjeve të Tiranës, ia la fillimisht në dorë shefit të PS për Peqinin dhe tani disa të huajve.

Me kënaqësi do paraqisja punimin e dorëzuar nëse do kishim një konferencë shkencore, dhe më shumë kënaqësi do debatoja haptazi me qeverinë – nëse nuk do bishtnonte, siç po bën – se cili model i trajtimit të mbetjeve duhet zbatuar, ai sipas Waste Directive apo ai i ndarjes së 120 milionë eurove nga taksat tona me veç 1 emër të vetëm pranë qeverisë e që po i njëjti del me 3 kompani të regjistruara në disa shtete. Por duke ju uruar kolegëve punë të mbarë, personalisht, po refuzoj të jem fasadë e paraqitjes së dështimit si arritje dhe tërhiqem nga prezantimi që pata depozituar.