.

Drejtësia vihet në vend, Mlladic dënohet me burgim të përjetshëm. Fajtor për genocid

Në fund të një procesi gjyqësor që zgjati 6 vjet, Gjykata Ndërkomëtare e Hagës ka dhënë dënim të përjetshëm me burg për të ashtuquajturin “Kasap të Ballkanit”, ish-gjeneralin e ushtrisë së serbëve në Bosnje, Ratko Mlladiç.

Mlladiç u shpall fajtor për 10 nga 11 akuzat e ngritura, përfshirë akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së Bosnjes.

Gjatë procesit që  zgjati 523 ditë, u pyetën mbi 600 dëshmitarë.

Ai akuzohet se nga prilli i vitit 1992 deri në korrik 1995 ka sulmuar me ushtrinë e tij të serbëve boshnjakë fshatra të tërë në Bosnje-Hercegovinë, ka bastisur e shkatërruar.

Mijëra të vdekur, dëbime sistematike dhe përdhunime të popullsisë jo-serbe gjatë viteve luftës i faturohen Ratko Mladiçit.

I ashtuquajturi “kasapi i Ballkanit” u përball këtë të mërkurë me gjykimin për masakrën më të madhe në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore. Mbi të rëndonin akuzat e gjenocidit në Srebrenicën e vitit 1995, gjenocidit në 6 komuna të tjera boshnjake në vitin 1992, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnje-Hercegovinën, terrorizimin e banorëve të Sarajevës me fushatën e bombardimeve dhe goditjeve me snajper, si dhe për marrjen peng të personelit të OKB-së.

Të pranishëm ishin edhe i biri i Mladiçit dhe disa zyrtarë serbo-boshnjakë, por ata qëndruan në një zonë të shkëputur. Pavarësisht mizorive, për të cilat është drejtpërdrejtë përgjegjës, gjenerali famëkeq vazhdon të shihet me admirim nga një pjesë e serbëve.

Por gjatë seancës Mladic është nxjerrë forcërisht nga salla, pasi nisi të fliste pa leje dhe të ulëriste kundër gjyqtarit.

Kreu i trupës gjykuese pasi i ka tërhequr disa herë vëmendjen, i ka kërkuar forcave të sigurisë të nxjerrin jashtë.