.

Politika dhe krimi, analistët përplasen për dosjen Tahiri në “Studio e Hapur”

Politika dhe krimi. “Studio e Hapur” në News24 flet sot pikërisht për lidhjet mes politikës dhe krimit, një çështje e nxehtë dhe aktuale nisur nga ngjarjet e fundit, që nga dosja “Habilaj”, hetimi për ish-ministrin Saimir Tahiri, 860 mijë eurot në makinën e biznesmenit dhe së fundmi çështja e kryebashkiakut të Durrësit.

 

Një panel figurash të njohura si ish-kreu i SHISH Fatos Klosi, analisti Shpëtim Nazarko, gazetari Ylli Rakimi dhe gazetari Ervis Iljazaj, diskutojnë pikërisht për këto çështje. Ndonëse Klosi dhe Nazarko i mohuan lidhjet mes politikës dhe krimit, gazetari Rakipi tha se krimi dhe politika i marrin vendimet bashkë.

“Nuk është hera e parë që flitet për lidhje të politikës me krimin. Kjo politikë është e inkriminuar në 25 vite. Vitet e fundit ka agravuar. Nëse ne flasim që në parlamentin shqiptar ka elementë të inkriminuar me rekorde kriminale të cilët u larguan nga ky parlament do të thotë që politika shqiptare është e inkriminuar. Nuk mund të themi se është një shashkë e radhës, është realitet.
Si mund të marrë një makinë dhe të transportojë një njeri 863 mijë euro, po i çon në një kompani. Si është e mundur kur ligjet e shtetit tënd nuk të lejojnë të qarkullosh me më shumë se 10 mijë euro në xhep? Përpjekjet e tij për të thënë se këto para i ka nxjerrë se po bën një kurim në Gjermani është qesharake. Në cilin spital perëndimor mund të shkosh me aq para? Ndoshta mund të shkosh në një spital në Indi ose Afrikë. Dosja e prokurorisë së shtetit shqiptar për Tahirin është qesharake. Siç është qesharake kjo e parave aq qesharake është edhe kjo e Tahirit. Tahiri ka rënë në grackë, me mjetin e tij dhe kushërinjtë e tij. Ke marrë raportin e shërbimit të huaj, po çfarë ka bërë shteti shqiptar. Është e pafalshme që shteti shqiptar nuk ka materiale. Që nga 1912 në Shqipëri hapet goja vetëm kur të huajt flasin, kjo tregon se në Shqipëri nuk ka institucione. Prokuroria nuk po punon më, ata thanë shyqyr që na dha italia informacion”, tha Rakipi.