.

Ekskluzive/124 policët e dyshuar për lidhje me trafikantët e hashashit që denoncoi SHISH, në “sitën” e Xhafajt

 

 

Në gjashtë raporte të detajuara, Shërbimi Informativ Shtetëror denonconte lidhjet e 124 zyrtarëve dhe punonjësve të policisë me grupet kriminale që merreshin me kultivimin dhe trafikimin e hashashit.

Dokumentat që mbanin firmën e Visho Ajazi Likës (i dorëhequr tri javë më parë), u “injoruan” për një kohë të gjatë dhe u “harruan” në sirtarët e Ministrisë së Brendshme. Ndaj uniformave blu nuk u mor asnjë masë, edhe pse shqetësimi ngrihej me të madhe nga një institucion i specializuar siç është SHISH.

Madje madje, institucioni që u drejtua nga Saimir Tahiri (aktualisht nën hetim për trafik droge) për katër vite, e mohoi ekzistencën e këtyre raporteve, sikurse mohoi me forcë kanabizimin e vendit.

Por tani që në Ministrinë e Brendshme epoka Tahiri ka përfunduar dhe fryn “era” Xhafaj, gjërat kanë ndryshuar.

124 zyrtarët e policisë të dyshuar për lidhje me grupet kriminale janë vënë nën hetim dhe rrezikojnë të përfundojnë prapa hekurave.

“Kemi nisur me SHÇBA një proces verefikimi të të gjitha të dhënave që gjendjen në arkivën e këtij shërbimi, të Policisë së Shtetit dhe MInistrisë, lidhur me implikime të mundshme të punonjësve të policisë në veprimtari kriminale dhe sidomos me kultivimin e kanabisit”, tha Ministri Xhafaj për hapur.al

Ndonëse Fatmir Xhafaj nuk e pranoi, burime të besuara thanë për Hapur.al se të gjithë këto zyrtarë, janë pezulluar deri në përfundim të hetimit të nisur ndaj tyre nga SHÇBA.

Është ende herët për të folur për rezultate, por ministri Xhafaj thotë se “kjo do të na shërbejë për procesin e Vetingut në polici”.

“Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) mbi informacionet e mbledhura ka shpallur papajtueshmërinë e disa punonjësve të policisë me pozicione që përdorin informacionin e klasifikuar. Një pjesë e tyre janë pezulluar nga detyra, kurse të tjerë janë larguar”, tha më tej Ministri.

Fatmir Xhafaj paralajmëron furtunë në radhët e policisë së Shtetit kur thotë “se Vetingu sapo ka filluar…”.