.

“Rusi 2018”, kreu i Federatës Italiane të Futbollit në prag të dorëheqjes

Mungesa e kualifikimit të Italisë në botërorin “Rusi 2018” bën kurbanin e rradhës. Pas trajnerit Ventura duket se edhe Presidenti i Federatës italiane të Futbollit, Carlo Tavecchio ka vendosur të japë dorëheqjen nga ky post.
Mediat italiane raportojnë se Tavecchio do të paraqitet me letrën e dorëheqjes, në mbledhjen e Kolegjit Federal, të hënën paradite. Duket se Carlos Tavecchio nuk e ka përballuar mbetjen jashtë botërorit, të Italisë, gjë të cilën e pranoi edhe në një intervistë për Le Iene.
“Kam 4 ditë që nuk vë gjumë në sy. Jam thellësisht i dëshpëruar, sepse isha thuajse i sigurt për kualifikimin. Është i gjithë faji i Venturës, sepse bëri zgjedhje teknike dhe taktike krejtësisht të gabuara, por përgjegjësia është edhe e imja, pasi unë e zgjodha trajnerin. Në të 2 takimet kemi luajtur keq, me topin në krah dhe krosime në zonë, kur dihej që suedezët ishin të gjithë nga 1.90 m të gjatë. Duhej të luanim më shumë në qendër dhe me lojtarë shtatshkurtër e teknikë, por që fatkeqësisht qëndronin në stol”, tregoi mes lotësh Tavecchio.