.

Gjenerali kundër Trump: Refuzoj urdhrin jo-ligjor për sulm bërthamor

Komandanti më i lartë përgjegjës për arsenalin bërthamor amerikan John Hyten, ka deklaruar se ai do t’i rezistonte çdo urdhri presidencial “jo të ligjshëm” për të nisur një sulm.

Gjenerali i Forcave Ajrore deklaroi se në cilësinë e kryetarit të Komandos Strategjike amerikane, ai ka për detyrë të këshillojë presidentin dhe të presë nga ai gjetjen e një alternative ligjore.

Komentet e Hyten vijnë pak ditë pasi senatorët amerikanë diskutuan autoritetin e presidentit për të nisur një sulm bërthamor. Disa prej zyrtarëve shprehën shqetësimet e tyre se presidenti Donald Trump mund të urdhërojë një sulm të tillë në mënyrë të papërgjegjshme, ndërkohë që të tjerë u shprehën se një president duhet të ketë autoritetin për të vepruar pa ndërhyrjen e avokatëve. Mbledhja e senatorëve është e para e këtij lloji në më se 40 vite.

Në gusht, presidenti Trump u betua të godiste Korenë e Veriut me “zjarr dhe furi të paparë ndonjëherë”, në rast se Peniani do të kërcënonte Shtetet e Bashkuara. Por këto komente të kreut të shtetit janë pritur me kritika, teksa shumë zyrtarë e akuzuan presidentin se po e çonte vendin drejt Luftës së Tretë Botërore.