.

Vetëm e djathta mund të kujdeset për të varfrit, e majta thjesht i përdor

Nga Fitim Zekthi

Gjuha që përdor qeveria Rama në debatet mbi buxhetin e vitit që vjen janë fokusuar më së shumti te togfjalëshat “rritje ekonomike”, “koncesione në infrastrukturë”, “partneritet publik- privat”, “arritje për herë të parë”, “shërbim ndaj qytetarëve” etj. Pak a shumë një gjuhë e përdorur vazhdimisht nga qeveritë shqiptare prej më shumë se dy dekadash. Në fakt buxheti është në thelb një zgjatim i buxheteve të viteve të kaluara ku karakteristikë bazë është “ideja e ndërtimit të shtetit”, pra vendosja e rregullit dhe e zbatimit të ligjit dhe investimet publike që kryhen me anë të partneritetit publik-privat. Nga një pikëpamje teorike një buxhet, i cili është mjeti themelor i qeverisë për politika ekonomike, ndërtohet ose në anën e ofertës ose në anën e kërkesës. Buxhetet e anës së kërkesës janë buxhetet e qeverive të majta, të cilat synojnë që me anë të taksave të larta të mbledhin të ardhura më të larta në mënyrë që të kryejnë investime publike të mëdha. Këto investime do të rrisin kërkesën duke bërë që të rritet konsumi, ekonomia, punësimi e me radhë. Buxhetet e anës së ofertës që hartohen nga qeveritë e djathta paraqesin taksa të ulëta, lehtësira për bizneset në mënyrë që biznesi të ketë më shumë para për të investuar. Këto investime të biznesit do të prodhojnë më shumë mallra, do të kërkojnë më shumë punëtorë, do të ketë rritje të konsumit e me radhë. Buxheti i qeverisë Rama nuk ofron asnjë ulje taksash, përkundrazi ai paraqet një rritje të lehtë të tyre. Në këtë pikë kemi një qeveri idesh të majta. Këto të ardhura më të mëdha megjithatë nuk do të përdoren duke rritur investimet në vepra publike, por do të përdoren si më parë për “ndërtimin e shtetit”, krijimin e një Shqipërie më estetike me “Rilindjen urbane” etj. Kjo e dyta është një qasje e majtë fashiste. Investimet publike do të kryhen nga sektori privat me anë të koncesioneve. Kjo është një politikë e djathtë përderisa i jep sektorit privat një pushtet të tillë, por duke qenë se do të rrisë borxhin publik, pasi ata do të paguhen kohë më vonë nga buxheti i taksave të njerëzve është një politikë e majtë. Ideja bazë e të djathtës është se “nuk mund të shpenzosh paratë që nuk i ke” dhe kur e djathta merr borxh është duke bërë diçka në rrethana mjaft të vështira dhe specifike siç mund të jetë një luftë, një tërmet, një fatkeqësi natyrore ose një nevojë e madhe për investime të cilat do të prodhojnë më shumë para. E majta e ka kthyer marrjen e borxhit në mjetin kryesor të mbulimit të shpenzimeve të saj kudo në botë duke qenë se kërkon që gjithnjë të rrisë numrin e njerëzve që ndihmohen, që marrin para nga programet qeveritare, në përpjekje të zvogëlojë hendekun social apo të sjellë “barazinë” etj. Lufta ndaj varfërisë, puna, shërbimet sociale etj., ato që pretendon e majta historikisht nuk kanë asnjë vëmendje të veçantë madje duken krejt periferike. Në thelb buxheti i qeverisë Rama nuk është as i anës së ofertës dhe as i anës së kërkesës. Ai duket se as nuk synon të jetë i ndonjërës nga këto anë. Pavarësisht se e majta i ka patur pjesë themelore të diskursit të saj këto politika historikisht, ajo kurrë nuk ka luajtur ndonjë rol në uljen e varfërisë apo në rritjen e punësimit. Shembujt janë kudo në botë dhe padyshim edhe në Shqipëri. Ata mund të përmblidhen vetëm në një shpjegim metaforik që ka bërë Georege Orwell kur ka thënë se e “majta i do aq shumë të varfrit sa që kur vjen në pushtet i shton ata”. E djathta ndonëse është portretizuar gjithnjë si një ide që nuk shqetësohet për të varfrit, ata të lënë larg burimeve apo të papunët është në fakt ideja që e ka të brendshëm shqetësimin për të varfrit, e ka të natyrshme atë që quhet “konservatorizmi i dhembshur”. Doug Wead, një historian i njohur amerikan thotë se e djathta ofron një mënyrë të ndryshme të menduari mbi të varfrin. “Ata e dinë se t’i thuash të varfrit se ata janë thjesht viktima pasive të strukturës ekonomike, racizmit apo forcave të tjera është jo vetëm e gënjeshtërt, por edhe e dëmshme sepse e paralizon atë dhe e bën të besojë se ai nuk do ia dalë më kurrë. I varfri meriton përkrahjen e shoqërisë, ai duhet të ndihmuar që të besojë se ia del, se ka mundësi për të se nuk shkohet gjëkundi me fajësimin e të tjerëve apo strukturës ekonomike”, shprehet ai. Konservatorizmi i dhembshur është ideja që inkurajon sigurimin e shërbimeve sociale pa siguruar vetë shërbimin, shprehet Michael Gerson, një këshilltar i presidentit Bush. Kjo ide i ka rrënjët te besimi fetar, te fakti se njerëzit janë të dobët, bien në mëkat, humbasin mundësinë, mbesin pas dhe tërë shoqëria dhe ekonomia futet në ngërç si pasojë e këtyre rënieve siç futen në vështirësi apo bien në varfëri ata që bien. Ndihma e shoqërisë dhe e gjithkujt është urdhëresë hyjnore. Politika të djathta sociale janë duke u zbatuar sot me sukses në Britani, në SHBA, në Gjermani, në Zelandë të Re, Australi, Poloni, Turqi etj. Disa nga këto politika kanë të bëjnë me pagimin e disa orëve të punës për nënat që kanë fëmijë të vegjël. Në Britani paguhet nga 15-30 orë punë në javë. Nxirren nga pagimi i taksave të gjithë ata që fitojnë deri në nivelin e pagës minimum, paguhen vizitat te mjeku së bashku me ndërhyrje të ndryshme për pensionistët, jepen bursa për nxënësit apo studentët e mirë (jo tabela me postera nxënësish si në Tiranë) vijnë nga familje me të ardhura të ulëta siç bën sot qeveria May etj. Qeveria e djathtë polake jep paga mujore për çdo fëmijë që lind, ka rritur pagën minimale, ka ulur moshën e pensionit. Në SHBA presidenti Bush nisi programin arsimor “Asnjë fëmijë nuk mbetet pas” në emër të konservatorizmit të dhembshur, nisi dërgimin e miliona dollarëve mjekime dhe ekipe për luftën kundër SIDA-s në Afrikë. Pra, e djathta jo vetëm mund të kujdeset për të varfrit, por është e vetmja që kujdeset për të varfrit pasi ajo (po të jetë e tillë) mbron një moral të fortë publik dhe nuk kthen gjithçka në shfaqje televizive live, në puthje hipokrite fëmijësh dhe pleqsh duke e parë shoqërinë si një supermerkatë apo skenë dëfrimi me anë të së cilës konfirmohet pushteti, siç bën e majta. PD hodhi disa propozime të kësaj natyre gjatë fushatës, të cilat do të duhet të bëhen (jo si terma) pjesë e diskursit të saj të natyrshëm. Të kujdesesh për të varfrit është e djathtë. / MAPO