.

Propozimi i Bashkisë së Tiranës, Ja me çfarë do të zëvëndësohen palmat e thara në autostradë

Bashkia e Tiranës planifikon të zëvendësojë deri në fund të këtij viti palmat në segmentin e autostradës Tiranë-Durrës, nga mbikalimi i Kamzës deri tek ai i Kasharit, me pisha.

Gazetari Mariglen Mërtiri ka siguruar për “News 24” dhe “BalkanWeb”relacionin për disa ndryshime dhe rishpërndarjen e fondeve në buxhetin e Bashkisë së kryeqytetit për vitin 2017, që pritet t’i dërgohet Këshillit Bashkiak.

“Gjatë periudhës që sapo kaloi me thatësirë të pazakonte, bimësia dekorative (palmat e mbjella) nuk u përshtatën me kushtet klimatiko-tokësore të Tiranës, kësisoj nuk i mbijetuan zhvillimit të ciklit të tyre jetësor”, thuhet në relacion.

Për këtë arsye propozohet që në vend të palmave të mbillen lloje dekorativësh të pishës së butë, që përshtaten me klimën dhe mjedisin. Po ashtu në propozim thuhet se pishat do të amortizojnë zhurmat e makinave dhe se përshtaten me kohën, pasi muaji kur mund të mbillen është dhjetori.

Kostoja e plotë e projektit “Furnizim dhe vendosje drurë dekorativë në zonën industriale Kamëz-Kashar” që propozohet të përfshihet në buxhet është 333.8 milionë lekë, ose gati 2.5 milionë euro. Ajo është e ndarë në tre vjet dhe e shpërndarë në 66.7 milionë lekë në 2017-n, 117 milionë lekë në 2018-n dhe 150 milionë lekë në 2019-n.

Kujtojmë që palmat u mbollën në autostradë rreth tre vjet më parë, si pjesë e një plani që përfshiu dhe rregullimin e sinjalistikës në zonën Mbikalimi i Kamzes dhe i Kasharit deri në aeroportin e Rinasit. Kosto e mbjelljes së tyre u raportua rreth 1 milionë euro, ndërsa opozita e cilësoi atë si një projekt të pastër korruptiv, duke shigjetuar shpeshherë kryeministrin Edi Rama. /bw/